Spanja e gatshme për Kupën e Botës 2026 – Rodri

Rodri: Spanja është gati për hapin e madh në Kupën e Botës, ju tregoj pikat e forta të këtij grupi

Mesfushori Rodri ka folur për ambiciet e Spanjës në Kupën e Botës 2026, si dhe për menaxhimin e presionit dhe kujtimet e tij nga finalja e Kupës së Botës në vitin 2010.

Fitorja e Spanjës në EURO 2024 ka ngritur ndjeshëm pritshmëritë për një rikthim suksesi në Kupën e Botës 2026. Pas viteve të vështira pas triumfit historik të vitit 2010, “La Roja” duket se po rikthehet në nivelet më të larta, me Rodri si një nga figurat kyçe të këtij rigjenerimi.

Në një intervistë për FIFA, Rodri ka diskutuar mundësitë e Spanjës për të fituar trofeun më prestigjioz në futbollin ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e përulësisë dhe lojës në grup për suksesin e tyre të fundit.

Krahason me gjeneratën e artë:

“Do të ishte shumë e vështirë të themi se mund të shkojmë më larg se ajo gjeneratë, pasi sinqerisht besoj se ishte gjenerata më e madhe e të gjitha kohërave. Asnjë skuadër tjetër nuk ka arritur të fitojë dy Kampionate Europiane dhe një Kupë Bote. Natyrisht, përpiqemi të shmangim krahasimet. Mendoj se kjo skuadër po ndjek rrugën e vet dhe po bëjmë një punë shumë të mirë prej kohësh. Kemi fituar Ligën e Kombeve, Europianin, dhe tani na pret sfida më e madhe, të fitojmë Kupën e Botës. Kemi punuar shumë për të arritur në turne në formën më të mirë dhe për të krijuar mentalitetin fitues që na mundëson të shkojmë deri në fund, që është objektivi ynë. Besoj se ky grup lojtarësh është gati për këtë hap.”

Kujtimet nga Kupa e Botës 2010:

“Isha 14 vjeç dhe po merrja pjesë në një kamp për të mësuar anglisht në Konektikat, SHBA. Kampusi ishte në një zonë pyjore dhe nuk kishte as sinjal telefoni, as internet. Rezultatet e Spanjës i merrja vesh përmes mesazheve që merrnin monitoruesit e kampit. Kur arritëm në finale, iu luta që të gjenin një mënyrë që ta shikoja ndeshjen. Dhe aty isha, në mes të pyllit, duke parë Spanjën të shpallej kampione Bote. Kur shënoi Iniesta, u ngrita dhe fillova të vrapoja kudo. Askush nuk e kuptonte pse isha kaq i lumtur dhe po bërtisja fort.”

Pikat e forta të skuadrës:

“Kjo skuadër vrapon sikur të ishte ekip i vogël dhe luan si superfuqi. Ky është identiteti që trajneri na ka transmetuar: të jemi të përulur, të vrapojmë më shumë se kundërshtarët, të kuptojmë vështirësitë dhe të jemi gati për çdo situative. Pavarësisht kush luan, jemi një grup djemsh që mbi të gjitha duan të mësojnë dhe janë të gatshëm të dëgjojnë. Përveç futbollit tërheqës, tregojmë gjithmonë një ndjenjë shumë të fortë bashkimi. Mendoj se kjo është rruga për të arritur gjëra të mëdha.”

Menaxhimi i presionit si favoritë:

“Nuk mendoj se presioni ndikon shumë te ne lojtarët. Askush nuk na konsideronte favoritë para Kampionatit Europian dhe ne e fituam. Tani duket se jemi favoritë, por kjo nuk ka ndikim real. Janë thjesht opinione dhe vlerësime. Skuadra që është në formën më të mirë del fituese në këto turne. Janë kompeticione me 7 ose 8 ndeshje dhe duhet të jesh në maksimum në secilën prej tyre. Duhet të bësh diferencën në momentet e mëdha. Një skuadër e favorizuar mund të dështojë, ose anasjelltas. Duhet të ruash qëndrueshmërinë dhe të kuptosh se një ditë e keqe të dërgon në shtëpi.”

Rëndësia e unitetit të ekipit:

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sekreti i suksesit të kësaj skuadre ka qenë vendosja e grupit përpara individit. Ky është çelësi. Asnjë lojtar nuk është më i madh se tjetri. Të gjithë punojmë në të njëjtin drejtim. Punojmë si ekip dhe nxjerrim në pah pikat e forta të njëri-tjetrit, dhe kjo na afron më shumë me fitoren.”

Fitimi i Kupës së Botës për karrierën e tij:

“Do të ishte qershia mbi tortë e një karriere të mrekullueshme. Fitimi i Kupës së Botës është kulmi absolut, asgjë nuk mund ta kalojë atë. Do të ishte diçka e pabesueshme dhe një ëndërr e bërë realitet. Është pika më e lartë e karrierës së çdo futbollisti.”

Trashëgimia e kësaj skuadre:

“Mendoj se do të kujtohemi si një skuadër e guximshme, me ADN të fortë konkurruese dhe që argëtonte tifozët.”

Scroll to Top