Tabaku: Shqipëria po bëhet e papërballueshme, sistemi ekonomik punon për pakicën
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me rritjen e kostos së jetesës dhe çmimeve në Shqipëri. Ajo akuzon qeverinë se ka ndërtuar një sistem ekonomik që favorizon pakicën dhe rëndon qytetarët.
Në mesazhin e saj, Tabaku tha se gjatë gjithë javës ka takuar qytetarë, pensionistë, familje të shtresës së mesme dhe biznese. Shqetësimi kryesor që ka dëgjuar kudo ka qenë rritja e çmimeve dhe vështirësia për të përballuar jetesën.
Sipas saj, Shqipëria po bëhet çdo ditë më e shtrenjtë dhe më e pajetueshme për shumicën e qytetarëve.
“Çdo derë që kam trokitur këtë javë, çdo biznes, çdo pensionist dhe çdo familje e mesme kishte vetëm një shqetësim: koston e lartë të jetesës dhe çmimet e papërballueshme,” shprehet Tabaku në video.
“Sot kemi një sistem ekonomik që në çdo ligj që kalon parlamenti fut duart në xhepat e qytetarëve. Në çdo vendim mendohet për pakicën dhe jo për shumicën,” deklaroi Tabaku.
Në fund të mesazhit të saj, deputetja demokrate u shpreh se ndryshimi i këtij sistemi ekonomik mbetet objektivi i saj politik, duke theksuar se do të vazhdojë kontaktet me qytetarët në terren.
“Këtë sistem duhet ta ndryshojmë dhe nuk do të lodhem çdo ditë të trokas në çdo derë deri kur t’ia arrijmë,” përfundon Tabaku në reagimin e saj.
