“`html
“Dollar për dollar” / SHBA vendosi tarifën 50%, Kanadaja i përgjigjet Uashingtonit: Çdo marrëveshje mes nesh vihet në pikëpyetje!
Një valë e re tarifash amerikane ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze ka hyrë në fuqi, pasi negociatat tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë dështuan në minutat e fundit.
Kryeministri kanadez, Mark Carney, njoftoi pezullimin e bisedimeve pak para skadimit të afatit, duke deklaruar se Kanadaja do të përgjigjet me tarifa reciproke “dollar për dollar” ndaj produkteve amerikane.
Carney tha se ndryshimet e bëra në minutat e fundit nga pala amerikane ishin “të padrejta” dhe “joekonomike”, ndërsa sipas tij ato vunë në pikëpyetje besueshmërinë e çdo marrëveshjeje të mundshme.
Negociatorët e dy vendeve kishin zhvilluar bisedime intensive që prej korrikut, pasi Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërcënuar me tarifa deri në 50% për rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze. Trump i kishte pezulluar përkohësisht tarifat më herët gjatë javës, duke deklaruar se dy vendet ishin pranë një marrëveshjeje tregtare që do të ishte “shumë e mirë” për të dyja palët.
Por pak para skadimit të afatit, Carney njoftoi ndërprerjen e negociatave. “Është bërë përparim i rëndësishëm, por ai nuk ishte i mjaftueshëm për të përmbushur objektivat tona për kanadezët”, tha kryeministri kanadez. Ai urdhëroi negociatorët kanadezë të ktheheshin në Ottawa.
Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, akuzoi Kanadanë se kishte refuzuar të finalizonte marrëveshjen sipas kushteve të dakordësuara gjatë javës. Sipas tij, SHBA-ja i kishte ofruar Kanadasë trajtimin më të favorshëm të mundshëm për eksportuesit e saj, por kërkesat e reja të Otavës dhe tërheqja nga disa angazhime kishin prishur ekuilibrin e arritur në negociata. Greer paralajmëroi gjithashtu se SHBA-ja nuk do të tolerojë kundër-tarifat kanadeze.
Çfarë prekën tarifat?
Tarifat e reja amerikane prej 50% prekin një gamë të gjerë produktesh kanadeze, përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit. Ato i shtohen tarifave që tashmë janë vendosur ndaj disa sektorëve strategjikë, përfshirë çelikun, aluminin, automjetet dhe drurin kanadez.
Në negociata ishte diskutuar mundësia që tarifat amerikane për çelikun dhe aluminin kanadez të uleshin nga 50% në 25%, ndërsa ato për automjetet kanadeze të zbrisnin nga 25% në 15%. Në këmbim, Kanadaja ishte zotuar të shqyrtonte disa kërkesa amerikane, përfshirë rikthimin e alkoolit amerikan në raftet e dyqaneve kanadeze.
Kanadaja përgatitet për hakmarrje
Pas dështimit të bisedimeve, Carney bëri të qartë se Ottawa do të përgjigjet me masa reciproke. Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i dha mbështetje të plotë qeverisë federale për një përgjigje të fortë. “Tarifë për tarifë, dollar për dollar”, deklaroi Ford.
Përplasja e re tregtare rrezikon të godasë të dy ekonomitë, pasi Kanadaja dhe SHBA-ja janë ndër partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëra-tjetrës. Dhoma e Tregtisë e SHBA-së ka paralajmëruar se tarifat më të larta mund të rrisin kostot për konsumatorët amerikanë, të dëmtojnë zinxhirët e furnizimit dhe të rrezikojnë miliona vende pune të lidhura me tregtinë mes dy vendeve.
“`
