“`html
3 milionë hektarë pyje të djegura në Spanjë, urdhër evakuimi për banorët në Gátova
Autoritetet në rajonin e Valencias, Spanjë, kanë urdhëruar evakuimin e plotë të Gátova-s për shkak të një zjarri të fuqishëm pyjor. Zjarri, i shkaktuar nga një rrufe, është përhapur me shpejtësi në zonën e Sierra Calderona.
Një mesazh urgjent Es-Alert u dërgua në telefonat e banorëve, duke u kërkuar të largoheshin nga zona dhe të drejtoheshin drejt Olocau dhe Bétera. Fillimisht, autoritetet kishin vendosur izolimin e komunitetit për shkak të tymit të dendur. Megjithatë, përkeqësimi i situatës dhe ndryshimi i drejtimit të erës sollën vendimin për evakuim.
Gátova ka rreth 450 banorë të regjistruar, por gjatë muajve të verës popullsia rritet ndjeshëm për shkak të turistëve dhe banorëve sezonalë. Në total, rreth 1 mijë persona janë evakuuar nga zona.
Flakët pranë zonave të banuara
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së enjtes në zonën e Segorbe, në provincën e Castellón, pas një stuhie me rrufe. Autoritetet kanë konfirmuar se shkak i zjarrit ishte një goditje rrufeje. Terreni i vështirë, thatësira dhe erërat kanë komplikuar ndjeshëm operacionet e shuarjes së zjarrit.
Flakët janë përhapur në Sierra Calderona, pranë zonave të banuara. Pamjet nga terreni kanë treguar zjarrin pranë shtëpive të Gátova-s. Deri të premten në mbrëmje, zjarri kishte përfshirë rreth 423 hektarë dhe autoritetet e konsideronin situatën ende jashtë kontrollit.
Në terren janë angazhuar qindra efektivë, mjete tokësore dhe mjete ajrore për luftimin e flakëve.
Aktivizohet njësia ushtarake e emergjencave
Për shkak të përkeqësimit të situatës, autoritetet e Valencias aktivizuan nivelin 2 të Planit Special për Zjarret Pyjore dhe kërkuan ndërhyrjen e Njësisë Ushtarake të Emergjencave (UME) të Spanjës.
Zjarri ka disa fronte aktive dhe disa prej tyre ndodhen në terren të vështirë për t’u aksesuar nga ekipet tokësore. Për këtë arsye, një pjesë e rëndësishme e operacionit mbështetet nga avionë dhe helikopterë zjarrfikës.
Ky incident vjen pas një vere me temperatura shumë të larta dhe kushte të thata në Spanjë, që kanë rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në pyje. Sipas të dhënave të EFFIS, të cituara nga mediat spanjolle, qindra mijëra hektarë janë përfshirë nga zjarret pyjore në Spanjë gjatë vitit 2026, duke e bërë sezonin e zjarreve një nga më problematikët e viteve të fundit.
“`
