Të huajt në Shqipëri arrijnë një rekord prej gati 39 mijë shtetasish, 60% e tyre për të punuar
Deri në qershor 2026, në Shqipëri rezultojnë të regjistruar gati 40 mijë shtetas të huaj, ku më shumë se gjysma e tyre po qëndrojnë në vend për të punuar. Të dhënat e Policisë së Shtetit tregojnë se deri më 30 qershor 2026 janë miratuar gjithsej 38,712 leje qëndrimi për shtetas të huaj.
Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje, duke përbërë rreth 19% të totalit. Pas tyre, numrin më të lartë e përbëjnë shtetasit nga Italia me 4,332 leje qëndrimi (11% e totalit), ata nga India me 3,882 leje (10% e totalit), nga Filipinet me 3,638 leje (9.3% e totalit) dhe nga Egjipti me 3,441 leje (8% e totalit).
Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri. Lejet unike për punëmarrës dhe lejet unike të vetëpunësimit numërohen në 22,693 deri në qershor 2026, duke përbërë 59% të totalit të lejeve të qëndrimit. Shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti kryesojnë numrin e të huajve me leje punëmarrës, me 10,258 leje të miratuara së bashku, që përfaqësojnë rreth 50% të të punësuarve të huaj.
Pas punësimit, vijnë lejet për bashkim familjar. Deri në qershor 2026, numri i tyre arriti në 7,124 leje aktive, duke përbërë 18% të totalit. Shtetasit nga Kosova dominojnë këtë kategori me 2,978 leje (rreth 42% e lejeve për bashkim familjar). Shtetasit italianë kanë 783 leje (11%) dhe shtetasit turq 518 leje (7%) për këtë kategori.
Numri i lejeve për motive studimi arriti në 1,261, duke përbërë 3% të totalit të lejeve aktive. Në këtë kategori, shtetasit italianë kryesojnë me 462 leje (rreth 37%), pasuar nga shtetasit indianë me 426 leje (34%). Për lejet me motiv humanitar, numri më i madh është regjistruar për shtetasit e Iranit me 2,440 leje, ndërsa shtetasit nga vendet e tjera paraqesin një numër dukshëm më të ulët.
