Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli në kampionatin serb.
Mladen Zhizhoviç, trajneri i ekipit të Radniçkit, ka pësuar një kolaps në fushën e lojës dhe më pas ka ndërruar jetë.
Tragjedia ka ndodhur në minutën e 20-të të takimit mes Mladost dhe Radniçkit, kur 44-vjeçari Zhizhoviç u rrëzua pranë stolit të tij. Ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua menjëherë me ambulancë drejt spitalit.
Fillimisht, gjyqtari vendosi të rifillonte ndeshjen, por ajo u ndal përsëri para përfundimit të pjesës së parë, kur erdhi lajmi tragjik se Zhizhoviç nuk kishte mundur të mbijetonte.
Zhizhoviç njihet edhe në ambientet e futbollit shqiptar. Gjatë karrierës së tij si futbollist, ai ka qenë pjesë e ekipit të Tiranës gjatë sezonit 2010-2011, duke luajtur 17 ndeshje dhe shënuar një gol për bardheblutë.
Gjatë viteve të tij si trajner, emri i Zhizhoviçit është përmendur disa herë si një kandidat i mundshëm për të marrë drejtimin e Tiranës, veçanërisht në verën e vitit 2024, pasi ai kishte lënë drejtimin e skuadrës së Shkupit.
