Tragjedi në Itali: Një i vdekur dhe pesë të helmuar nga monoksidi i karbonit në një kasolle barinjsh
Një 37-vjeçar ka humbur jetën dhe pesë persona të tjerë janë helmuar nga monoksidi i karbonit në një kasolle të izoluar në veri të Italisë. Ngjarja ndodhi gjatë natës në zonën malore të Buscagna, në Luginën Devero, në komunën e Bacenos, në provincën Verbano-Cusio-Ossola, vetëm pak kilometra larg kufirit me Zvicrën.
Në kasolle ndodheshin gjashtë barinj kur, për arsye që ende nuk janë përcaktuar, u shkaktua grumbullim i monoksidit të karbonit. Njëri prej tyre, 37 vjeç, nuk arriti të mbijetojë.
Mes të helmuarve është edhe një 19-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike. Ai u transportua me urgjencë me helikopter drejt Spitalit Niguarda në Milano. Dy burra të tjerë, të dy 62 vjeç, u evakuuan gjithashtu me helikopter dhe u dërguan në Spitalin e Novarës, ku po marrin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre është klasifikuar si e verdhë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të rrjedhjes ose grumbullimit të monoksidit të karbonit në kasollen malore. Ekipet e emergjencës ndërhynë në një zonë të vështirë për t’u aksesuar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e kësaj tragjedie.
