Shembja e kullës antike në Romë, humb jetën punëtori që mbeti nën rrënoja
Një kullë mesjetare në zemër të kryeqytetit të Italisë është shembur pjesërisht të hënën, gjatë punimeve për rinovimin e saj. Një punëtor ka humbur jetën dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur rëndë.
Në momentin e ngjarjes, në kullë po punonin 11 punëtorë. Njëri prej tyre, Octay Stroici, 66-vjeçari nga Rumania, mbeti i bllokuar nën rrënoja për rreth 11 orë. Fatkeqësisht, ai humbi jetën rrugës për në spital.
Torre dei Conti u ndërtua në shekullin e 13-të nga Papa Inoçenti III, si vendbanim për familjen e tij. Tre punëtorë të tjerë, të bllokuar nën skela dhe rrënoja, janë shpëtuar nga zjarrfikësit duke përdorur shkallë.
Kulla ishte dëmtuar gjatë një tërmeti në vitin 1349 dhe kishte pësuar shembje të mëtejshme në shekullin e 17-të.
Mediat italiane raportojnë se në vendngjarje ishin të pranishëm kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, si dhe ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli.
