Trump mbështet Cuomo për kryebashkiak të NY, kundër Mamdani

“Nuk keni zgjidhje tjetër” / Trump mbështet Cuomo-n për kryebashkiak të New Yorkut, “kërcënon” të shkurtojë fondet nëse fiton kundërshtari

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur mbështetjen për Andrew Cuomo-n në garën për kryebashkiakun e New York City-t, duke u bërë thirrje votuesve të mos zgjedhin kandidatin kryesor të krahut të majtë, Zohran Mamdani.

“Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo Andrew Cuomo personalisht, nuk keni zgjidhje tjetër. Duhet të votoni për të dhe të shpresoni që ai të bëjë një punë fantastike”, shkroi Trump në platformën Truth Social të hënën në mbrëmje. Ai shtoi: “Ai është i aftë për këtë, Mamdani jo!”

Më herët, presidenti kishte deklaruar se do të ngurronte të dërgonte më shumë se fondet minimale federale në qytetin e tij të lindjes, Nju Jork, në rast se Mamdani do të zgjidhej.

Sondazhet e opinionit tregojnë se Mamdani, kandidati demokrat, është përpara Cuomo-s, i cili garon si i pavarur pasi Mamdani e mundi atë në zgjedhjet paraprake të partisë Demokrate. Kandidati republikan, Curtis Sliwa, renditet më poshtë.

Trump, i cili gjithashtu është republikan, refuzoi të mbështeste Sliwan në garën për këtë post, duke deklaruar: “Një votë për Curtis Sliwan… është një votë për Mamdanin”.

Scroll to Top