Kërkesa në rritje, por tregu do kohë të stabilizohet
Eliana Bakiri, administratore e “Top Tours”, flet për situatën aktuale të tregut të makinave me qira.
Rezervimet për makina me qira kanë shënuar një rritje gjatë prillit, duke sinjalizuar një tjetër vit me volum të lartë kërkesash, por jo domosdoshmërisht edhe me çmime të favorshme. Eliana Bakiri, administratore e “Top Tours”, thekson se tregu ende ka nevojë për stabilizim, pasi kushtet aktuale nuk ofrojnë siguri për kompanitë që të ndërmarrin politika zgjerimi të flotave të tyre. Sipas saj, çmimet në sezonin e ulët janë aktualisht nën kosto dhe amortizimi i tyre realizohet vetëm përmes ecurisë së mirë të sezonit të lartë, kryesisht verës dhe disa periudhave të tjera të shkurtra gjatë vitit.
Vitet e fundit, turizmi ka qenë një nxitës kryesor për rritjen e tregut të makinave me qira. Lidhur me numrin e operatorëve në këtë sektor dhe barrierat reale të hyrjes, Bakiri shprehet se ekziston një trend i qëndrueshëm rritës, si rezultat i një kombinimi faktorësh, ku turizmi luan një rol të rëndësishëm, por jo të vetëm. Politikat e kompanive dhe modeli i franshizave kanë kontribuar gjithashtu. Megjithëse Shqipëria mbetet një destinacion me interes për turistët, rritja e tregut të makinave me qira nuk reflekton gjithmonë të njëjtin ritëm. Një faktor kyç është mungesa e alternativave të transportit publik që ofrojnë fleksibilitet dhe mbulim të shpejtë të destinacioneve, duke e bërë makinën me qira një zgjidhje praktike.
Klientela ndahet në dy kategori kryesore: ata që marrin makina për periudha të gjata, kryesisht kompani, dhe ata për periudha të shkurtra, kryesisht individë. Brenda periudhave të shkurtra, ka edhe nënndarje sipas kohëzgjatjes së marrjes së makinës. Makinat me qira ofrojnë fleksibilitet, një model i konsoliduar edhe në tregje me transport publik të zhvilluar, siç është Austria. Edhe aty, pavarësisht funksionimit të mirë të transportit publik, makina me qira mbetet zgjedhja kryesore për kategori të ndryshme, si biznesmenët që duan të kursejnë kohë, apo familjet për udhëtime turistike.
Lidhur me barrierat hyrëse në këtë treg, Bakiri sqaron se ato nuk janë të veçanta. Mjafton regjistrimi si biznes, pa kërkesën e një licence specifike. Rritja e numrit të operatorëve ka qenë graduale, si përgjigje e kërkesës. Shumë kompani kanë filluar si franshiza, duke sjellë përvojë dhe stafin e trajnuar, ndërsa më pas individë të punësuar në këtë sektor kanë nisur biznese të tyre. Ky është një zhvillim i zakonshëm për tregjet turistike në rritje.
Lidhur me çmimet e ulëta, si për shembull 1 euro për ditë ose 10 euro për javë, Bakiri shpjegon se ato nuk përfaqësojnë kostot reale ditore. Këto çmime janë shpesh reflektim i zhvillimeve të tregut dhe mënyrës se si kompanitë amortizojnë shpenzimet gjatë vitit. Biznesi i makinave me qira ka dy sezone, të lartë dhe të ulët. Shpesh, fitimi i një sezoni kompeson humbjet e tjetrit, duke krijuar një çmim fiks “flat price”.
Në tregje të tjera si Rumania, çmimet mund të jenë edhe më të ulëta, deri në 10 cent për ditë. Operatorët atje mbijetojnë duke ofruar shërbime shtesë. Tregu kërkon më shumë aftësi menaxheriale se sa shitje, me njohjen e tregut dhe trajnimin e stafit si kyç. Në Austri, rritja e flotave nga vendet fqinje si Kroacia dhe Bullgaria ka shtuar konkurrencën, pasi ligji europian lejon që mjetet e një vendi të qëndrojnë deri në 6 muaj në territorin tjetër, duke bërë konkurrencën më agresive.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kostot bazë si amortizimi, siguracioni, mirëmbajtja, taksat dhe financimi mbulohen me këto çmime, Bakiri thekson se mirëmbajtja përbën pjesën më të madhe të kostove, pasi shpenzimet e saj janë të paparashikueshme, ndërsa kostot e tjera janë më të parashikueshme.
Jetëgjatësia ekonomike mesatare e një makine varet nga mirëmbajtja dhe shërbimet periodike. Një tendencë e re është marrja e makinave nga koncesionarët, të cilat në fund të periudhës mund të bëhen pronë e operatorit ose të rikthehen tek koncesionari. Ky model, i cili ka kohë që funksionon në botë, ka ardhur më vonë në Shqipëri.
Për sa i përket makinave elektrike, përdorimi i tyre është i kufizuar për shkak të rrjetit të pamjaftueshëm të karikimit, veçanërisht në Jug dhe Veri të vendit. Klientët preferojnë këto rajone, prandaj makinat elektrike nuk janë një zgjidhje shumë e përshtatshme.
Problemi me informalitetin dhe shmangien e detyrimeve, që ndikojnë operatorët korrektë, u takon institucioneve të cilat duhet ta monitorojnë dhe zgjidhin këtë çështje, duke bërë tregun më konkurrues.
Aktualisht, po përjetohet një presion çmimesh që pritet të stabilizohet me kalimin e kohës. Cilësia e flotës në Shqipëri është e mirë, me makina moderne dhe nivele të kënaqshme sigurie. Në krahasim me tregjet e tjera, ka vend për përmirësim në Shqipëri, ndërsa disa masa janë marrë, siç janë raportimi automatik i gjobave të klientëve tek operatori, duke eliminuar problemet e mëparshme të raportimit.
Megjithatë, ky model nuk po krijon një vlerë të qëndrueshme, por më shumë volum pa fitim. Pasiguria për rritjen e flotave dhe situata me çmimet tregojnë se tregu ende ka nevojë për stabilizim.
Ecuria e këtij viti tregon një trend rritës me një volum të konsiderueshëm rezervimesh, por çmimet nuk janë shumë të favorshme. Pritet që vera të sjellë rritje të kërkesës, e ndikuar edhe nga ndryshimet në përzgjedhjen e destinacioneve turistike si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Efekti real i turizmit shihet në periudha si pushimet e Europës, Pashkët, qershori dhe vera, ndërsa pjesa tjetër e vitit ka kërkesë më të ulët.
