E rrahën, e torturuan dhe më pas e dogjën brenda makinës! Zbardhet vrasja e djalit të kryebashkiakut të Kharkivit; autorët i zbrazën llogarinë kripto.
Policia austriake ka publikuar detaje lidhur me vrasjen brutale të një studenti 21-vjeçar ukrainas, i cili ishte djali i nënkryetarit të bashkisë së Kharkiv. Ngjarja e rëndë ka ndodhur javën e kaluar në Vjenë, ku studenti u gjet i karbonizuar brenda një makine luksoze, në pronësi të babait të tij.
Vrasja u zbulua pasi një alarm zjarri u aktivizua në një kompleks banimi në Donaustadt të Vjenës, në mbrëmjen e 26 nëntorit. Një automjet “Mercedes” u dogj plotësisht, ndërsa në sediljen e pasme gjendej trupi i 21-vjeçarit Danilo.
Gjatë hetimeve, u zbulua se i riu fillimisht ishte rrahur nga një shok shkolle në parkingun nëntokësor. Më pas, ai ishte futur me forcë në makinën e zezë të babait të tij dhe ishte torturuar. Disa orë më vonë, ai është djegur i gjallë.
Një ditë para gjetjes së trupit, familja e tij, pasi nuk arrinte ta kontaktonte, kishte lëshuar një njoftim për kërkimin e të riut. Pasi zbuluan se llogaritë e tij të kriptomonedhave ishin bosh, ata kontaktuan policinë.
Sipas informacioneve nga gazeta austriake “Krone”, 21-vjeçari jetonte në një apartament luksoz.
Ndërkohë, në qytetin lindor ukrainas të Kharkivit, qytetarët po mbajnë zi për humbjen e djalit të zëvendëskryetarit të bashkisë. Kryetari i bashkisë, Igor Terekhov, nuk pranoi të komentonte në platformën “Suspilny”, duke theksuar se humbja ishte një çështje private për familjen e zëvendëskryetarit. “Kjo është një tragjedi njerëzore,” tha ai.
Si pjesë e hetimeve, dy të dyshuar, gjithashtu ukrainas, të moshave 19 dhe 45 vjeç, janë arrestuar në Ukrainë. Ata dyshohet se janë kthyer në vendlindje me sasi të mëdha kartëmonedhash, pasi i kishin konvertuar shpejt fondet kripto në para fizike.
