Yield bonot 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në 2 vjet

**Yield-et e bonove 12-mujore arrijnë nivelin më të lartë në gati dy vjet**

Yield-et e bonove 12-mujore kanë shënuar një rritje të re në ankandin e dytë të muajit gusht, duke arritur nivelet më të larta të tyre në gati dy vjet. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, yield-i mesatar i ponderuar në ankandin e fundit arriti në 2.83%, duke u rritur nga 2.75% në ankandin e mëparshëm. Ky është niveli më i lartë i regjistruar për këto instrumente që nga nëntori i vitit 2024.

Deri në tremujorin e parë të vitit, yield-et e këtyre bonove ishin nën normën bazë të interesit. Tani, ato kanë arritur një diferencë (spread) prej 0.33 pikë përqindjeje mbi normën bazë.

Edhe në këtë ankand, kërkesa totale nga pjesëmarrësit rezultoi më e ulët se shuma e planifikuar për financim. Ministria e Financave ofroi 7.3 miliardë lekë bono, ndërkohë që vlera totale e kërkesave në ankand arriti në 7.06 miliardë lekë. Për të mbajtur yield-in në nivele më të ulëta, Ministria e Financave vendosi të ulë shumën e emetimit në 6.36 miliardë lekë. Nëse kërkesa e plotë do të ishte pranuar, yield-i mesatar i ponderuar do të kishte qenë pak më i lartë.

Yield-i maksimal i kërkuar në ankand arriti në 3%, ndërsa yield-i maksimal i pranuar nga Ministria e Financave ishte 2.95%. Ky ishte ankandi i tretë radhazi për bonot 12-mujore ku shuma e planifikuar për t’u financuar nuk u plotësua.

Tregu i instrumenteve të borxhit të qeverisë po tregon një tendencë të qartë në rritjen e yield-eve. Kjo mund t’i atribuohet ndryshimit të raportit mes kërkesës dhe ofertës në tremujorin e dytë dhe të tretë, si dhe pritjeve për rritjen e normave të interesit.

Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, shuma e planifikuar për huamarrje në ankandet e bonove dhe obligacioneve për tremujorin e tretë të vitit parashikohej të ishte 79.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithëse kërkesa për financim është më e lartë, pjesëmarrja në ankande, veçanërisht gjatë tremujorit të tretë, ka ardhur në rënie. Kjo lidhet edhe me një trajektore në rënie të investimeve nga bankat në tregun primar të titujve qeveritarë, një fenomen që është mjaft tipik për gjysmën e dytë të vitit.

Inflacioni në rritje gjatë këtij viti ka forcuar gjithashtu pritshmëritë për rritjen e normave të interesit. Edhe pse Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmarrë ende një rritje, duke besuar se goditja inflacioniste do të jetë kalimtare, tregu duket të jetë orientuar drejt pritshmërive për rritje të normave këtë vit. Yield-et më të larta të kërkuara për financimin e huamarrjes qeveritare duken si sinjale në këtë drejtim.

Rritja e yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në koston e huamarrjes në lekë për sektorin privat. Bonot 12-mujore shërbejnë si instrumenti kryesor benchmark për kuotimin e normave të interesit të kredive me interes të ndryshueshëm në monedhën vendase.

Scroll to Top