Zbulimi i Betsaidës: Qyteti i mrekullive të Jezusit

“100% e sigurt”! Arkeologët zbulojnë qytetin e humbur të mrekullive të Jezusit

Një ekip ndërkombëtar arkeologësh pretendon se ka identifikuar me siguri qytetin e lashtë të Betsaidës, një vend biblik i lidhur me disa nga episodet më të njohura të jetës së Jezusit. Gërmimet në sitin arkeologjik El-Araj, pranë Detit të Galilesë, kanë vijuar që prej vitit 2016.

Sipas studiuesve, zbulimet e bëra në këtë zonë përputhen me përshkrimet historike të një vendbanimi hebre peshkatarësh, i cili më vonë u shndërrua në një qendër urbane. Betsaida përmendet në traditën biblike si vendlindja ose vendbanimi i apostujve Pjetër, Andrea dhe Filip. Qyteti ndodhej pranë zonës së Kapernaumit, ku sipas Ungjijve Jezusi kreu disa prej mrekullive të tij më të njohura, përfshirë shërimin e të sëmurëve dhe ushqyerjen e 5 mijë njerëzve me pesë bukë dhe dy peshq.

Drejtori akademik i projektit, profesori Steve Notley, shprehet se ekipi ka gjetur pikërisht dy elementet kryesore që kërkoheshin për identifikimin e Betsaidës: dëshmi për një fshat hebre peshkatarësh dhe gjurmë të qarta të një qyteti të urbanizuar.

Gjatë gërmimeve janë zbuluar më shumë se 200 monedha, fragmente qeramike, një banjë romake, enë hebraike prej guri dhe pesha plumbi që lidhen me aktivitetin e peshkimit. Një nga zbulimet më të rëndësishme është edhe një bazilikë bizantine, e cila përmban një referencë të drejtpërdrejtë për apostullin Pjetër, duke e përshkruar atë si “Kryetarin e Apostujve dhe Mbajtësin e Çelësave të Qiellit”.

Sipas arkeologëve, këto dëshmi, të marra së bashku, e bëjnë El-Araj kandidatin më bindës për vendndodhjen e Betsaidës së lashtë. Studiuesit argumentojnë se edhe transformimi i vendbanimit nga një fshat peshkatarësh në një qendër urbane përputhet me atë që dihet për qytetin biblik.

Scroll to Top