Zjarri në landfillin e Bushatit: Banorët nuk marrin dot frymë

Zjarri në landfillin e Bushatit vazhdon të jetë aktiv, banorët: Nuk hapim dritaret.

Edhe këtë të martë, vatra e zjarrit në landfillin e Bushatit ka mbetur aktive. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera, flakët janë riaktivizuar, duke u ndihmuar edhe nga era.

Tymi i dendur dhe ndotja e ajrit po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve të zonës. Ata e cilësojnë situatën si të rëndë dhe me pasoja për shëndetin.

Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të flakëve.

Një banore e zonës ka shprehur shqetësimin e saj, duke përmendur probleme me astmën. Ajo tha se ajri i ndotur ka bërë që gjithçka në shtëpi të mbulojë pluhuri. “Jemi keq. Nuk marrim dot frymë, jam me astmë. Fëmijët më kanë ikur që këtu. Na vjen uji si zi. Për shkak të landfillit këtu nuk jetohet më.”, u shpreh banorja.

Një tjetër banor ka deklaruar se nuk e dinë se kush e ka sjellë landfillin në këtë zonë. Sipas tij, situata është shumë e rëndë pasi banorët nuk marrin dot frymë. “Nuk marrim dot frymë, jemi shumë keq. Karbon është. Mbeturinat po i thithim ne. S’dimë as ku të ankohemi për këtë punë. Është hera e parë që digjen. Po na shpikin sëmundjet”, tha ai.

Scroll to Top