Ukrainë: Një fëmijë mes viktimave nga sulmet masive ruse, disa fëmijë të plagosur
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe shumë rajone ukrainase janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike të martën, si pasojë e sulmeve të Rusisë, të cilat raportohet të kenë qenë ndër më intensive që nga fillimi i luftës.
Polonia fqinje ka aktivizuar avionët e saj për të mbrojtur hapësirën ajrore gjatë kohës së sulmeve, njoftoi ushtria polake përmes një postimi në platformën X (dikur Twitter).
Ministria ukrainase e Energjisë ka bërë të ditur përmes një postimi në Telegram se “Rusia po sulmon sërish infrastrukturën tonë të energjisë. Si pasojë, janë raportuar ndërprerje të energjisë në disa rajone ukrainase”.
Operatori i energjisë Ukrenergo, ndërkohë që temperaturat atmosferike janë në rënie, ka njoftuar se zjarre kanë shpërthyer në disa rajone si rezultat i “sulmeve masive me raketa dhe dronë”.
Mes viktimave është raportuar të jetë një fëmijë katërvjeçar, ndërsa disa fëmijë të tjerë janë në mesin e të plagosurve.
Rusia ka intensifikuar sulmet edhe në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, në ditët e fundit. Sipas autoriteteve ukrainase, këto janë përpjekje për të shkatërruar plotësisht logjistikën detare.
Sulmet e fundit kanë ardhur pas negociatave të zhvilluara gjatë fundjavës, të cilat Shtetet e Bashkuara i kanë zhvilluar veçmas me delegacionet ruse dhe ukrainase në Majami, si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka thënë se bisedimet kanë qenë “konstruktive”, por që nuk ka shenja të ndonjë përparimi.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi i është përgjigjur Rusisë duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
