“`html
Rregulla të reja për sektorë kritikë, si do të ‘filtrohen’ investimet e huaja
Qeveria shqiptare po synon përafrimin e plotë me standardet e Bashkimit Europian për Investimet e Huaja Direkte. Një projekt-akt i ri, aktualisht në fazën e konsultimit, parashikon vendosjen e një mekanizmi shqyrtimi për investimet në sektorët kyç të ekonomisë, me fokus kryesor sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Në një intervistë për “Monitor”, Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, shpjegon risitë kryesore të kësaj rregulloreje dhe mënyrën se si do të funksionojë procesi i vlerësimit. Ai sqaron se si është konceptuar balanca mes mbrojtjes së interesit publik dhe lirisë së tregut në këtë draft.
Projekt-akti i ri dhe risitë ligjore
Projekt-akti për shqyrtimin e investimeve të huaja ka si qëllim përafrimin e plotë me Rregulloren e BE Nr. 2019/452, e cila përcakton një kuadër për shqyrtimin e Investimeve të Huaja Direkte në Bashkimin Europian. Investimet e huaja në sektorët ekonomikë që mund të cenojnë rendin apo sigurinë e vendit dhe që plotësojnë kritere specifike, do t’i nënshtrohen një procedure shqyrtimi para regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Rregullorja parashikon ngritjen e një mekanizmi kombëtar shqyrtimi, të koordinuar nga një strukturë pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, e cila do të përfshijë ministri të linjës dhe agjenci ekzekutive.
Vendimmarrja për autorizimin ose refuzimin e një investimi të huaj do të bëhet nga një Komitet Ndërministror, kryesuar nga Ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe përfshin ministritë dhe agjencitë e tjera të përfshira. Gjithashtu, rregullorja parashikon një mekanizëm bashkëpunimi me njësitë përgjegjëse të vendeve anëtare të BE-së, nën koordinimin e Komisionit Europian. Në rastin e shqyrtimit të investimeve që mund të cenojnë sigurinë publike, Shqipëria do të bashkëpunojë me Komisionin Europian dhe vendet e tjera anëtare të BE-së.
Lidhja me integrimin europian
Përafrimi me këtë Rregullore dhe ngritja e mekanizmit kombëtar për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte janë ndër pikat kulmore të Kapitullit 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”, negociatat për të cilin drejtohen nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Pritet që ky kapitull të përmbyllet së shpejti, brenda tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, pasi të miratohen rregullorja mbi shqyrtimin e investimeve të huaja dhe ndryshimet ligjore në Ligjin Nr. 46/2018 për kontrollin shtetëror të mallrave me përdorim të dyfishtë.
Impacti mbi investitorët e huaj
Për shumicën e investitorëve të huaj në Shqipëri, ky mekanizëm i ri vlerësimi nuk do të sjellë ndryshime. Dispozitat e kësaj Rregulloreje nuk zbatohen mbi të gjithë sektorët e ekonomisë, por vetëm mbi ata kritikë (si infrastruktura, armët, teknologjia, etj.), dhe as mbi investimet nga vendet anëtare të BE-së apo vende aleate si SHBA apo Mbretëria e Bashkuar.
Investitorët e huaj nga vende të treta, të cilët veprojnë në sektorë kritikë, do t’i nënshtrohen procedurës së shqyrtimit dhe duhet të aplikojnë për autorizim pranë Ministrisë përgjegjëse për ekonominë, para se të regjistrojnë shoqërinë e tyre në QKB ose blerjen e aksioneve të një shoqërie ekzistuese shqiptare. Investitori nuk mund të procedojë me regjistrimin në QKB pa paraqitur autorizimin përkatës.
Procedura për autorizimin, autorizimin me kushte, ose refuzimin e një investimi të huaj, nuk do të zgjasë më shumë se 60 ditë.
Mekanizëm kontrolli, parandalimi apo transparence?
Ky është një mekanizëm shqyrtimi, i cili synon të kontrollojë investimet e huaja në sektorët kritikë për të parandaluar cenimin e sigurisë kombëtare apo të rendit publik. Për të përcaktuar nëse një investim apo investitor i huaj mund të cenojë rendin publik apo sigurinë kombëtare, merren parasysh tre faktorë kryesorë:
- Nëse investitori i huaj kontrollohet drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një vend i tretë.
- Nëse investitori i huaj ka cenuar rendin apo sigurinë e një vendi të BE-së.
- Nëse ka dyshime se investitori është angazhuar në aktivitete të paligjshme apo kriminale.
Sektorët e përfshirë
Rregullorja e BE 2019/452 parashikon shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në sektorë kyç si:
- Infrastruktura kritike: energjia, transporti, uji, shëndeti, telekomunikacioni, media, ruajtja/përpunimi i të dhënave, mbrojtja, infrastruktura zgjedhore apo financiare, etj.
- Teknologjitë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë: inteligjenca financiare, robotika, gjysmëpërçuesit, siguria kibernetike, teknologjitë kuantike apo nukleare, nanoteknologjitë dhe bioteknologjitë.
- Furnizimi i inputeve kritike: energjia, materialet e papërpunuara dhe siguria ushqimore.
- Aksesi në informacionin sensitiv: të dhënat personale apo aftësia për kontrollin e tyre.
- Liria dhe pluralizmi i medias.
Fillimisht, synohet zbatimi i Rregullores në sektorët e lidhur me “aksesin në informacionin sensitiv” dhe “lirinë e medias”, duke marrë parasysh numrin e kompanive të huaja aktive dhe potencialin për cenimin e sigurisë publike, veçanërisht në kontekstin e sulmeve kibernetike dhe luftës hibride.
Procesi i vlerësimit
Investitori i huaj në sektorët kritikë, që plotëson kriteret, duhet të aplikojë për autorizim pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, para regjistrimit në QKB. Struktura përgjegjëse pranë Ministrisë përgatit dokumentacionin dhe ia përcjell Komitetit Ndërministror brenda 10 ditëve nga marrja e aplikimit. Ky dokumentacion përmban detaje mbi pronësinë, origjinën e kapitalit, veprimtarinë e biznesit, etj.
Komiteti Ndërministror duhet të marrë një vendim (autorizim, autorizim me kushte ose refuzim) brenda 30 ditëve. Komiteti ka gjithashtu të drejtën të kërkojë dokumentacion shtesë ose të angazhojë ekspertizë.
Garancia kundër pengesave për investimet
Rregullorja zbatohet vetëm mbi një numër të kufizuar investimesh. Së pari, mbi disa sektorë kritikë. Së dyti, investimet nga vendet anëtare të BE-së ose vendet aleate nuk i nënshtrohen shqyrtimit. Së treti, edhe në sektorët kritikë, shqyrtimi bëhet vetëm në rast dyshimi për kontroll nga qeveri të huaja, lidhje me organizata terroriste/kriminale, ose rrezikim të sigurisë së vendeve të tjera.
Statistikat tregojnë se vitin 2024, në Bashkimin Europian janë shqyrtuar rreth 5,200 investime të huaja, dhe 85% prej tyre janë miratuar pa kushte. Raportet e Komisionit Europian konfirmojnë se zbatimi i kësaj Rregulloreje nuk e ka ndikuar klimën e investimeve.
Ruajtja e ekuilibrit mes sigurisë dhe tregut
Synimi kryesor i rregullores është mbrojtja e sektorëve kritikë, duke mos cenuar lirinë e tregut. Ky koncept zbatohet prej vitesh në vendet e BE-së pa dëmtuar lirinë e tregut apo klimën e investimeve.
Mësime nga zbatimi i Rregullores 2019/452
Që prej fillimit të zbatimit të kësaj Rregulloreje, disa raporte kanë identifikuar dobësi, kryesisht lidhur me mospërputhjen në zbatimin mes vendeve anëtare. Kjo ka ardhur nga interpretimi i ndryshëm i sektorëve që duhet të përfshihen, duke krijuar pabarazi brenda tregut të vetëm europian.
Pavarësia editoriale dhe mediat
Rregullorja nuk synon kontrollin e veprimtarisë së investimeve të huaja në media, por vetëm shqyrtimin e transaksioneve para regjistrimit në QKB, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara. Pas regjistrimit, media nuk i nënshtrohet më asnjë procedure shqyrtimi, duke siguruar kështu pamundësinë e ndikimit mbi pavarësinë editoriale.
Platformat digjitale, të dhënat personale dhe inteligjenca artificiale
Investimet në këto sektorë do t’i nënshtrohen procedurës së shqyrtimit para regjistrimit në QKB. Pas marrjes së autorizimit, veprimtaria e këtyre investitorëve do të mbikëqyret nga institucione të specializuara sipas ligjeve specifike.
Transparenca e procesit
Parimi i transparencës është thelbësor. Komiteti Ndërministror do t’i ofrojë biznesit vendime të detajuara, të cilat mund të ankimohen në Gjykatë. Të dhënat shtesë të dorëzuara nga biznesi do të trajtohen si konfidenciale. Çdo vit, Komiteti Ndërministror do të publikojë një raport të detajuar mbi veprimtarinë e tij.
Mekanizmat e ankimit
Vendimet e Komitetit Ndërministror mund të ankimohen pranë Gjykatës së Tiranës brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit.
“`
