Programi i ri: Qeveria investon më shumë në beton sesa në njerëz
Treguesit buxhetorë për periudhën afatmesme 2025–2029 nxjerrin në pah se modeli i qeverisjes vazhdon të mbështetet kryesisht te investimet kapitale, siç janë rrugët, ndërtesat dhe veprat infrastrukturore, ndërkohë që investimi në kapitalin njerëzor, pra në arsim dhe shëndetësi, mbetet dukshëm më i ulët.
Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik 2027–2029, shpenzimet kapitale pritet të jenë në nivele shumë të larta, duke arritur 6–6.5% të PBB-së çdo vit gjatë periudhës afatmesme. Në vitin 2026, këto shpenzime do të arrijnë në 6.5% të PBB-së, një shifër që e pozicionon Shqipërinë ndjeshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian, ku investimet publike zakonisht sillen rreth 3–3.5% të PBB-së. Kjo e bën Shqipërinë një nga ekonomitë më të orientuara drejt investimeve publike në rajon dhe në Europë, duke pasqyruar një strategji zhvillimi që vë theks të fortë te ndërtimi dhe infrastruktura si motorë të rritjes ekonomike.
Në kontrast të fortë, financimi për arsimin dhe shëndetësinë paraqitet dukshëm më i ulët. Shpenzimet për shëndetësinë, kryesisht në formën e skemave të sigurimeve shëndetësore, pritet të luhaten nga 2.4% e PBB-së në vitet 2025–2026, për të zbritur gradualisht në 2.1% deri në vitin 2029. Kjo nënkupton se, në terma relativë, sektori i shëndetësisë po humbet peshë në ekonomi, pavarësisht rritjes së nevojave për shërbime shëndetësore, për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigracionit të personelit mjekësor.
Edhe fondet për arsimin, sipas parashikimeve të buxhetit afatmesëm 2026–2028, do të jenë në ulje, si në raport me PBB-në, ashtu edhe në raport me shpenzimet buxhetore. Shpenzimet publike për arsimin ishin 2.9% e PBB-së në vitin 2022, ndërsa këtë vit pritet të arrijnë në 2.4% të PBB-së, dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së. Kjo tregon se, teksa ekonomia rritet, ndahen më pak fonde për arsimin.
Struktura e buxhetit sugjeron se rritja ekonomike synohet të arrihet përmes investimeve fizike dhe jo përmes përmirësimit të produktivitetit të punës, cilësisë së arsimit apo shëndetit të forcës punëtore. Në afat të shkurtër, kjo qasje mund të mbështesë rritjen ekonomike nëpërmjet ndërtimit dhe krijimit të vendeve të punës në sektorë të lidhur me infrastrukturën. Megjithatë, në afat të gjatë, kjo strategji rrezikon të krijojë një ekonomi me shumë kantiere ndërtimi, por me mungesë gjithnjë e më të madhe mësuesish, mjekësh dhe profesionistësh të kualifikuar.
Pavarësisht nivelit të lartë të shpenzimeve për investime publike nga buxheti i shtetit, vendi vazhdon të përballet me mungesën e infrastrukturës bazë në zonat ku është përqendruar popullsia, aktiviteti ekonomik dhe presioni urban, sidomos në Tiranë dhe zonën metropolitane përreth saj. Në vend që kapitali publik të investohet aty ku kthimi social dhe ekonomik është më i lartë, ai shpërndahet në qindra projekte të vogla, të shkëputura nga njëra-tjetra, pa sinergji dhe pa një vizion territorial të zhvillimit.
Kjo copëzim i buxhetit ka një efekt të dyfishtë negativ: nga njëra anë, asnjë projekt nuk merr financimin e mjaftueshëm për të qenë vërtet transformues, dhe nga ana tjetër, krijohet një terren ideal për abuzime, ri-negocime kontratash, shtesa fondesh dhe zhvendosje të qëllimshme të prioriteteve.
Pasojat e kësaj situate tashmë janë të dukshme. Qendra e vendit, ku jeton dhe punon mbi gjysma e popullsisë dhe ku prodhohet pjesa dërrmuese e PBB-së, mbetet e nënfinancuar për sa i përket infrastrukturës urbane, transportit publik, ujësjellësit, kanalizimeve, shkollave, spitaleve, hapësirave publike dhe strehimit.
