Spanja rihap ambasadën e saj në Teheran
Ambasada e Spanjës në Teheran, e cila ishte mbyllur përkohësisht për arsye sigurie pas tensioneve mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, është rihapur.
Agjencitë iraniane të lajmeve raportuan se ambasada rifilloi punën më 13 prill, me qëllim mbështetjen e “ndërmjetësimit” pas një armëpushimi dyjavor, i cili hyri në fuqi më 8 prill.
Ambasadori spanjoll, i cili mbërriti në Iran një ditë më parë, deklaroi se do të angazhohet për “t’i mbështetur përpjekjet për paqe nga të gjitha palët”.
Spanja është pozicionuar si një nga kritikët kryesorë perëndimorë të SHBA-së dhe Izraelit që nga fillimi i tensioneve më 28 shkurt. Duke komentuar sulmet izraelite në Liban më 8 prill, ministri i Jashtëm spanjoll, Jose Manuel Albares, theksoi se ato shkelën armëpushimin dhe ligjin ndërkombëtar.
SHBA-ja, Irani dhe Izraeli nuk ishin dakord nëse armëpushimi zbatohet në Liban. Izraeli deklaron se shënjestron luftëtarët e Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.
Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord më 7 prill për një armëpushim dyjavor, për t’i dhënë kohë të dyja palëve të negociojnë një marrëveshje paqeje. Megjithatë, bisedimet e zhvilluara në fundjavë në Islamabad nuk rezultuan të suksesshme.
Si pasojë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se ushtria amerikane do të bllokojë gjithë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane dhe zonat bregdetare në Gjirin Persik, duke filluar nga 13 prilli në orën 10:00, sipas kohës lindore.
