“`html
Luis Enrique druhet nga Liverpuli: Fillimi i ndeshjes do të jetë çelësi, nevojitet kujdes
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, foli përpara medias në prag të ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ku skuadra e tij do të mbrojë avantazhin e fitores 2-0 nga “Parc des Princes”. Trajneri asturian theksoi se ata do të dalin në fushë për të fituar dhe jo për të manovruar. Ai gjithashtu pranoi se Fabián Ruiz, i dëmtuar që nga janari, “po bën më mirë” dhe tashmë po stërvitet me pjesën tjetër të ekipit.
“Kjo ishte ndeshja e parë,” nisi konferencën për shtyp Luis Enrique. “Ne ende duhet të luajmë të dytën. E dimë se e martë do të jetë një ndeshje e vështirë. Kundër një skuadre si Liverpuli, e cila do të jetë dy gola në disavantazh. Do të jetë e vështirë. Kjo është e qartë për ne. Dhe ne e dimë qartë se do të ketë momente të vështira.”
Sipas tij, çelësi i ndeshjes do të jenë 20 minutat e para. “Normalisht, kur fillon një ndeshje, ndoshta është shumë e rëndësishme, por në futbollin e sotëm ndeshjet ndryshojnë në pesë minuta. Mund të ketë momente të ndryshme që ndryshojnë gjithçka. Është e rëndësishme të fillosh mirë lojën, dhe mendoj se ky do të jetë çelësi.”
Ai shtoi se ndërkohë që PSG është në kulmin e formës, Liverpuli thuajse ka prekur fundin dhe i vetmi kompeticion që mund t’i ofrojë një trofe është Liga e Kampionëve. Megjithatë, trajneri i PSG-së nuk i kushton shumë rëndësi historikut të skuadrave.
“Kjo është vështirësia e lojërave. Për mua, është një lojë kurth. Ne fituam ndeshjen e parë, të gjithë thonë se ishim shumë superiorë… Por tashmë kjo i përket së kaluarës. Por, kujdes, futbolli dhe loja ndryshojnë shumë shpejt. Ne duhet të jemi të përgatitur dhe të vëmendshëm sepse mund të pësojmë një gol në pjesën e parë dhe loja mbetet e hapur.”
Luis Enrique beson se “Anfield” është një stadium i zjarrtë dhe një “ferr” për kundërshtarin, por skuadra e tij është e përgatitur për këtë fakt.
“Është e qartë se kur luan në shtëpi, me tifozët tuaj, është më e lehtë dhe më e këndshme. Sepse ekziston lidhja mes tifozëve dhe ekipit. Kjo është ajo që ne do të kërkojmë në ‘Anfield’. Ne e dimë vështirësinë e të luajturit në Liverpul. Është një motivim për ne që të luajmë këtu dhe të kapërcejmë presionin e tyre. Ky është qëllimi ynë. Do të shihni se do të jetë një ndeshje e ngushtë. Mentaliteti nuk përfaqëson asgjë në vetvete, por mund të përfaqësojë faktin se ne jemi të përgatitur të japim nivelin tonë më të mirë. Ne kemi të njëjtin mentalitet si vitin e kaluar kur donim të fitonim. Ne po kërkojmë të fitojmë ndeshjen e dytë dhe natyrisht edhe Ligën e Kampionëve,” përfundoi Luis Enrique.
“`
