“`html
Berisha: Bonusi i pensionistëve shkoi 8 euro, sa 2 kg domate
Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një takimi me fermerët në Berat, foli për çështjet e naftës dhe pensioneve.
Ai theksoi se në rast se PD do të jetë në pushtet, do të hiqet çdo taksë për naftën dhe do të jepen subvencione për fermerët, sipas praktikave të qeverive europiane.
Lidhur me pensionet, Berisha shtoi se kryeministri Rama është një mashtrues pa shpirt, pasi bonusi i shumëpritur për pensionistët ishte vetëm 8 euro, shuma e cila blen rreth 2 kg domate.
Berisha: Do heqim çdo taksë
Berisha deklaroi se shteti mund të veprojë transparent në lidhje me pagesat, duke sjellë si shembull Kosovën, e cila ka vendosur disa pagesa për bagëtitë. Ai shtoi se këto pagesa janë të vonuara.
“Nëse Kosova jep 30 euro për dele, ky vendosi 12. Nëse Kosova ka 25 euro për bletën, ky jep 20. Pse më pak ne?”, pyeti Berisha.
Ai vijoi duke thënë se Shqipëria, dikur në krye për pagat dhe pensionet, tani ka zbritur në fund dhe u zotua se PD do të përpiqet ta ngrejë nivelin duke arritur Kosovën dhe Maqedoninë.
Kreu i PD-së foli edhe për përjashtimin e 38% të popullatës nga shoqëria.
“A dëgjoni ju lajme për çmimin e naftës dhe heqjen e mbështetjes me naftë të fermerëve, për vështirësitë e rralla? Gjithçka censurohet, sikur nuk jeni. Media që kontrollohen në mënyrë mizore. Paguhen nga paratë tuaja për të fshehur problemet tuaja, për të mbuluar me heshtje situatën tuaj. Fermerët sot janë pa zë, pa përfaqësim,” tha Berisha.
Ai premtoi organizimin e një rrjeti të mirë të këshillimeve dhe konsulltave për fermerët, si dhe vijimin e projektit “Shqipëria rurale” deri në kompletimin e plotë të infrastrukturës së vaditjes.
“Shqipëria është plot me ujë, por arat dhe njerëzit nuk kanë ujë. Vlora ditë të tëra pa ujë, ky u thoshte se tubi është i vitit 2009. Sistemi i vaditjes në Shqipëri është i prapambetur, investimi në këtë sistem është jetik. Ne jemi vend me ujë. Kemi edhe naftë edhe ujë. Të vazhdojmë investimet në Shqipërinë rurale, edhe sa miliardë euro të duhen,” shtoi ai.
Për pensionet:
“Për pensionet, doli një mashtrues i pashpirt. Me pensionin, shumica e pensionistëve nuk blejnë dot ilaçet e muajit. Nuk mbyllin dot muajin as për ushqime. Ky rri e thotë bonusin. Sa doli? 8 euro doli. Për 690 mijë pensionistë bonusi i shumëpritur doli 8 euro, dy kg domate. A ka tallje më të madhe?”
Berisha rikujtoi se në vitin 2013, ai deklaronte se pensioni mesatar ishte 80 euro dhe shtoi se nuk ka pasur më të madh injoranti në atë karrige që kur u themelua shteti shqiptar.
“Nuk i dëgjoni dot një fjali shtetari. Një fjali për jetën tuaj ekonomike, nuk e dëgjoni dot. Ngatërron TVSH me naftën. Ato koncepte ka. Bonusi i pensionistëve, çfarë mund të marrë me 150 euro? Më thuaj. Pensionisti nuk merr dot ilaçet. Më së paku duhej 400 euro pensioni mesatar. I mbajti. Pse u rritën pensionet në Serbi, Mal të Zi. Ne ishim para tyre për pensione. Ky me koncepte të vjetra. Nuk rriten rroga në socializëm. Edhe ky mendoi se me atë mënyrë mund të ecë, por ky është treg,” përfundoi Berisha.
“`
