Stërvitja kthehet në tragjedi: Tanku shpërthen, tre ushtarë humbin jetën në Japoni
Një ngjarje e rëndë është raportuar të ketë ndodhur në Japoni. Gjatë një stërvitjeje, një predhë shpërtheu në mënyrë të pakontrolluar brenda një tanku, duke i marrë jetën tre ushtarëve.
“Tre ushtarë të ushtrisë japoneze kanë vdekur në një aksident gjatë një stërvitjeje në prefekturën Oita”, njoftoi kryeministri japonez, duke shtuar se tre ushtarët ishin në bord të tankut në momentin e shpërthimit.
Një ushtar i katërt u plagos, teksa një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar shkakun e këtij aksidenti fatal.
“Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave”, shkroi kryeministri japonez në rrjetin social “X”. Ai siguroi se “qeveria do të angazhohet për të hetuar shkaqet e aksidentit dhe për të zbatuar me rigorozitet masat e nevojshme të sigurisë”.
