Kosova drejt zgjedhjeve të reja për president?

Kurti: Zgjedhje të “njëpasnjëshme” nëse nuk arrihet marrëveshja për president

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhje të “njëpasnjëshme” parlamentare, nëse partitë parlamentare nuk arrijnë pajtueshmëri për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke pasur parasysh se kanë mbetur më pak se një javë nga mbarimi i afatit kushtetues për këtë çështje.

Kurti, i cili është edhe kryetar i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, u shpreh për gazetarë se zgjedhjet e reja gjithashtu do t’i kushtonin vendit me humbje financiare prej dhjetëra milionë euro.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja, nuk do të kemi zgjidhje, meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja, e pas atyre sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Unë nuk e di se si mund t’i kemi 80 deputetë, prandaj është e domosdoshme të merremi vesh”, tha Kurti pas përurimit të Klinikës së Kardiologjisë në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, ose me 61 vota në raundin e tretë. Megjithatë, nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, është e nevojshme një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, pasi asnjëra parti – as edhe ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk ka numrin e mjaftueshëm të deputetëve në Kuvendin me 120 vende.

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill. Nëse deri atëherë nuk zgjidhet një president, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

Deklaratat e Kurtit vijnë dy ditë pas dështimit të bisedimeve mes tij dhe liderëve të dy partive kryesore opozitare: Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila ka 22 ulëse, dhe Lumir Abdixhikut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila mban 15 ulëse.

Gjatë bisedimeve të hënën në Prishtinë, Kurti i kishte ofruar LDK-së së Abdixhikut postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera. Në një ofertë tjetër, Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Të dyja këto oferta u hodhën poshtë nga Abdixhiku.

Ndërkohë, po në të njëjtën ditë, pas dështimit të marrëveshjes me Abdixhikun, kreu i PDK-së Bedri Hamza e quajti “joserioze” ofertën e Kurtit që partia e tij të marrë postin e kryeparlamentarit në një ujdi me LVV-në. Abdixhiku deklaroi se nuk do të takohej më me Kurtin, ndërsa Hamza e konsideroi të “përfunduar” kontributin e partisë së tij për çështjen e presidentit.

Nuk është e qartë se si Kurti mund t’i bindë ata të rikthehen në tryezën e bisedimeve para se të skadojë afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Në komentet e tij të mërkurën, Kurti nuk sqaroi nëse do t’i kontaktojë sërish ata.

Ndërkohë, pasi Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit dhe vendi nuk arriti të emëronte zëvendësuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e detyrës së presidentit më 4 prill. Edhe vetë Haxhiu u ka bërë thirrje partive për arritjen e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Përpjekjet e mëparshme për zgjedhjen e presidentit të ri dështuan, pasi asnjëra palë nuk tregoi gatishmëri për të bërë lëshime. Partia në pushtet në një seancë më 5 mars kishte paraqitur dy emra për president: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dhe deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, por seanca nuk u mbajt për mungesë kuorumi, pasi opozita braktisi sallën. Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani nxori një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani synonte edhe një mandat të dytë, por nuk siguroi mbështetjen e nevojshme. Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës së Qeverisë. Gjykata vendosi se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe përcaktoi 28 prillin si afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit.

Scroll to Top