Rama flet për problemet me sigurinë ushqimore: Çfarë del në dyqanet tona duhet të dalë edhe në BE, thertoret të ndajnë mbetjet që nuk janë për konsum
Kryeministri Edi Rama, në një takim me operatorët ushqimorë, ka diskutuar rritjen e standardeve në këtë sektor, një nga kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Europian në procesin e anëtarësimit.
Rama theksoi nevojën për të arritur standardet europiane, duke thënë: “Çfarë del në dyqan në vendin tonë, duhet të dalë edhe në BE. Duhet të kesh standardet ushqimore që kanë edhe shtetet e BE.” Ai u ndal te problemi i thertoreve, duke kërkuar ndarjen e mbetjeve që nuk janë për konsum dhe eliminimin e tyre sipas standardeve europiane. “Asnjë thertore, edhe më të mirat, nuk e kanë këtë proces. Duhet bërë. Nuk është shkencë e madhe, por duhet, sepse përndryshe nuk ekziston në tregun europian.” Ai gjithashtu përmendi nevojën për miratimin e ligjit për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum dhe përforcimin e gjurmueshmërisë nga prodhimi deri te konsumatori.
Kryeministri shprehu shqetësimin për neglizhencën dhe mungesën e përkushtimit të shqiptarëve ndaj këtyre standardeve, duke theksuar se kontrollet do të jenë një mbështetje për plotësimin e zinxhirit dhe jo një mision ndëshkimi. Ai nënvizoi se qeveria do të krijojë një sistem kontrolli si mbrojtës publik dhe mbështetës për sipërmarrjet që punojnë ligjshëm por kanë nevojë për të rritur standardet.
Rama foli gjithashtu për nevojën për forcimin e kapaciteteve laboratorike dhe përmirësimin e pikave të kontrollit kufitar, duke theksuar se ka plane konkrete për investime në këto drejtime. Ai e quajti këtë një sfidë për popullin shqiptar për t’u bërë pjesë me të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Europës, duke vënë theksin te interesi i qytetarit për siguri ushqimore, ushqim cilësor dhe mbrojtje mjedisore.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, nënvizoi se progresi drejt integrimit europian nuk matet më vetëm me miratimin e ligjeve, por me funksionimin real të sistemeve. Ai theksoi se ky sektor është kompleks dhe ecuria duhet të matet përmes sistemeve të harmonizuara me standardet e BE-së dhe inspektimeve efektive. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kategorizimit të duhur të operatorëve ushqimorë dhe përmirësimit të tyre, veçanërisht në sektorët e mishit dhe qumështit, ku cilësia e ulët e qumështit të papërpunuar dhe kontrollet e cilësisë janë parakusht për konkurrencën në tregjet e BE-së.
