Ndryshime në Kodin Rrugor: 70 orë trajnim për shoferët e rinj profesionistë
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar një udhëzim të ri, i cili ndryshon rrënjësisht mënyrën se si shoferët profesionistë (kategoritë C dhe D) do të kualifikohen dhe rinovojnë certifikatat e tyre. Ky udhëzim synon përafrimin me standardet evropiane dhe rritjen e sigurisë rrugore përmes teknologjisë së avancuar.
Struktura e re e orëve mësimore
Udhëzimi përcakton saktë kohëzgjatjen e kurseve për kualifikimin fillestar dhe atë periodik:
- Për kualifikimin fillestar, teoria do të zhvillohet në 60 orë, jo më pak se 15 ditë.
- Praktika do të zhvillohet në 10 orë, jo më pak se 5 ditë.
- Trajnimi për rinovim, për teorinë, do të zhvillohet në 35 orë, jo më pak se 7 ditë.
“Kodi 95” dhe digjitalizimi
Një risi është shënimi i “Kodit 95” direkt në lejen e drejtimit ose në CAP (Certifikatë Aftësie Profesionale). Ky kod vërteton se drejtuesi ka përmbushur kërkesat profesionale të Bashkimit Evropian për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Programi i ri mësimor përfshin tema moderne që nuk kanë qenë më parë, si:
- Smart Tachograph V2: Njohuri mbi gjeneratën e re të tahografëve inteligjentë.
- Sistemet ADAS: Shoferët do të mësojnë mbi sistemet e ndihmës në drejtim (frenimi automatik, mbajtja e korsi, paralajmërimi i goditjes).
- Drejtimi ekologjik: Kursimi i karburantit dhe ulja e emetimeve në mjedis.
DPSHTRR (Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor) merr kompetenca më të forta monitoruese. Autoshkollat duhet të marrin një vendim miratues për të ofruar kurse CAP dhe do të ushtrohen kontrolle periodike vjetore për bazën didaktike, mjetet dhe personelin. Nëse nuk plotësohen kriteret, autoshkollat çregjistrohen menjëherë nga sistemi.
Shëndeti dhe sjellja profesionale
Ndryshe nga trajnimet e vjetra, programi i ri i kushton 8 orë shëndetit dhe emergjencave, duke përfshirë:
- Menaxhimin e stresit dhe faktorët psikologjikë.
- Efektet e alkoolit dhe ushqyerjen e balancuar.
- Parandalimin e kriminalitetit dhe trafikimit të paligjshëm gjatë transportit.
Rinovimi i CAP tashmë kushtëzohet plotësisht nga përfundimi i trajnimit periodik prej 35 orësh. Nëse zotëroni dy lloje CAP (për mallra dhe pasagjerë), rinovimi mund të kryhet njëkohësisht.
