Anija turistike, në të cilën janë regjistruar raste dhe tre vdekje të lidhura me Hantavirusin, do të lundrojë drejt Ishujve Kanarie për kontrolle mjekësore.
Ministria spanjolle e Shëndetësisë ka konfirmuar se anija turistike MV Hondius, e cila ka regjistruar raste me koronavirus dhe tre vdekje, do të drejtohet drejt Ishujve Kanarie për ekzaminime mjekësore të pasagjerëve dhe ekuipazhit. Vendimi vjen pasi Kepi i Gjelbër nuk disponon infrastrukturën e nevojshme shëndetësore.
Anija MV Hondius do të pritet në Ishujt Kanarie “në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe për arsye humanitare”, sipas një njoftimi të Ministrisë spanjolle të Shëndetësisë. Anija pritet të mbërrijë brenda tre deri në katër ditësh, dhe të gjithë personat në bord do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore para se të kthehen në vendet e tyre.
“Ishujt Kanarie janë destinacioni më i afërt me lehtësitë e nevojshme,” thuhet në deklaratë, duke theksuar se Spanja ka një “detyrë morale dhe ligjore për të ndihmuar këta njerëz, shumë prej të cilëve janë shtetas spanjollë”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka deklaruar se Kepi i Gjelbër nuk është në gjendje të menaxhojë operacionin e mbështetjes shëndetësore të anijes. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e Kepit të Gjelbër ka njoftuar se tre pasagjerë të infektuar me Hantavirus do të largohen nga ishulli brenda pak orëve të ardhshme, duke përdorur dy ambulanca ajrore.
Njëri nga pacientët është tashmë në arkipelag, ndërsa i dyti pritet të mbërrijë së shpejti. Përfaqësuesja e OBSH-së në vend, Anne Lindstrand, ka shpjeguar se dy pacientë, anëtarë të ekuipazhit, si dhe një person që ka pasur kontakt me një rast të konfirmuar, do të transferohen nga anija nëpërmjet Kepit të Gjelbër. Pas zbarkimit në portin e kryeqytetit Praia, pacientët do të transportohen me ambulancë në aeroport dhe prej andej do të nisen me avion.
Sipas agjencisë holandeze ANP, duke cituar Ministrinë e Jashtme holandeze, tre pacientët do të dërgohen në Holandë për trajtim, ndërsa njëri prej tyre është shtetas holandez. Anne Lindstrand ka shtuar se anija do të jetë në gjendje të niset gjatë natës (nga e martë në të mërkurë), sapo të përfundojë procesi i evakuimit.
Anija MV Hondius kishte nisur nga Ushuaia, Argjentina, me destinacion arkipelagun e Kepit të Gjelbër. Ajo transportonte 88 pasagjerë dhe 59 anëtarë të ekuipazhit. Anija ka mbetur e bllokuar në brigjet e Praias që nga e diela, pasi i është mohuar qasja në spirancë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se tre persona në bord kanë vdekur, me shumë mundësi nga hantavirusi, një virus që shkakton dështim akut të frymëmarrjes.
