9 Maji, Dita e Evropës: Si lindi ideja e Bashkimit Europian?
Më 23 korrik 1952 hyri në fuqi Montanunioni në Evropë. Ky komunitet, i përkushtuar për qymyrin dhe çelikun, u bë bërthama e Komunitetit Ekonomik Evropian, i cili u themelua në vitin 1957 me Traktatet e Romës. Më pas, në fillim të viteve 1990-të, nga Komuniteti Ekonomik Evropian u krijua Bashkimi Evropian.
Montanunioni, ku bënin pjesë Franca, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu, u propozua nga ministri i atëhershëm i Jashtëm francez, Robert Schuman.
Schumann dhe Adenauer hodhën themelet e BE-së
Pesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe para se Republika Federale Gjermane të festonte njëvjetorin e saj, ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, propozoi administrimin e përbashkët të prodhimit të qymyrit dhe çelikut.
Plani Schuman ishte një revolucion: një zyrë mbinacionale do të merrte kompetenca vendimmarrëse. Marrëdhëniet gjermano-franceze ishin të ngarkuara me mosbesim. A do të binte Gjermania përsëri në magalomaninë nacionaliste pas Luftës së Parë Botërore dhe do të kërcënonte fqinjët e saj? Apo tmerri i luftës dhe vrasjeve do t’u jepte dorë forcave demokratike dhe paqedashëse për të mundësuar pajtimin?
“Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak. Nga ky vetëdijësim i paguar kaq shtrenjtë, ne duam të ecim në rrugë të reja, që na çojnë në një Evropë të bashkuar dhe në paqe,” u shpreh Robert Schuman, një nga pionierët e pajtimit, i cili kishte lidhje me Gjermaninë, Luksemburgun dhe Francën dhe kishte përjetuar dy luftërat botërore.
Schuman lindi në Perandorinë Gjermane, me gjuhë amtare atë të Luksemburgut. Ai jetoi, studioi dhe punoi në Luksemburg, Bon, Mynih, Berlin, Strasburg dhe Metz. Kur Alsas-Lorena, pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1919, kaloi nga Gjermania në Francë, Schuman mori shtetësinë franceze. Në Francë ai filloi karrierën politike. Megjithëse gjatë gjithë jetës fliste frëngjishten me theks, pak pas Luftës së Dytë Botërore u bë kryeministër i Francës dhe më vonë ministër i jashtëm. Si i tillë, ai ndërmori një iniciativë që e ka ndryshuar Evropën deri më sot.
“Qeveria franceze propozon që të vendosë prodhimin gjerman dhe francez të qymyrit dhe çelikut nën një administrim të përbashkët.” Me propozimin për një Montanunion me qarkullimin pa doganë të mallrave ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, që duhej të ishte i hapur edhe për vende të tjera, Schuman donte të ankoronte bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe lidhje të forta midis dy vendeve, dikur të armiqësuara. Te kancelari Konrad Adenauer ai gjeti një partner në anën gjermane, i cili ndiqte të njëjtat qëllime.
“Hekuri dhe çeliku kanë luajtur një rol fatal në dekadat dhe shekujt e fundit në luftërat e popujve evropianë kundër njëri-tjetrit, sepse të gjitha armët ishin prej hekuri dhe çeliku. Tani hekuri dhe çeliku duhet t’i bashkojnë popujt evropianë në një terren të përbashkët veprimi dhe mendimi.”
“Schuman, vizionar i madh evropian”
Plani Schuman, themelimi i mëvonshëm i Montanunion-it, konsiderohen sot si momenti i lindjes së Komunitetit Evropian, sepse në deklaratën e tij, ministri i Jashtëm francez parashikonte integrimin e mëvonshëm të shteteve të tjera anëtare. Bindja e tij ishte që Montanunioni do të çonte në një Union më të madh dhe më të fortë: “Ky propozim vë për herë të parë në jetë një federatë evropiane, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes.”
Megjithatë, në fillim të viteve ’50 nuk ishte pjekur ende koha për zgjerimin e planeve të Schuman-it. Dy vjet më vonë ai dha dorëheqjen nga funksioni i ministrit të Jashtëm, sepse nuk ishte në gjendje të realizonte idenë e Bashkësisë Evropiane. U deshën edhe shtatë vjet, derisa shtetet evropiane ishin të gatshme të angazhoheshin për lidhje më të ngushta përmes marrëveshjes së Romës.
Por përpjekjet e Schuman-it u shpërblyen: ai u bë presidenti i parë i Parlamentit Evropian. Adenauer kishte thënë më vonë se Schuman që në vitin 1950 kishte qenë një vizionar i madh evropian: “Ai pa më tej nga sa shihja unë, kur propozoi Montanunion. Mos mendoni se ai e propozoi Montanunion për arsye ekonomike! Ajo ishte një çështje politike shumë e rëndësishme.”
Dhe ky ishte fillimi i një bashkimi që thellohej, i cili sot përfshin 27 shtete me rreth një miliardë qytetarë. Montanunioni nuk ekziston më. Marrëveshja fillestare e vitit 1952 skadoi pas 50 vjetësh. Rregullat e Montanunion-it vazhduan në vitin 2002 në marrëveshjet e reja të BE-së.
