Lufta dhe turizmi rrisin çmimet, inflacioni arrin 3%, niveli më i lartë në 29 muaj.
Çmimet janë rritur ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, duke reflektuar pasojat e konflikteve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë sjellë shtrenjtimin e energjisë me një efekt zinxhir në produktet e tjera. Gjithashtu, fluksi i lartë i turistëve ka ndikuar në rritjen e kostos së strehimit për banorët vendas.
INSTAT raportoi se norma e inflacionit, e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK), në maj 2026 arriti në 3,0%, krahasuar me 2,2% në maj 2025. Ky është niveli më i lartë i regjistruar në 29 muaj, që nga janari 2024, kur treguesi ishte 3,4%. Edhe në prill 2026, inflacioni kishte arritur në 2,7%.
Tre faktorët kryesorë që kanë kontribuar në shtrenjtimin e çmimeve në maj janë:
- Rritja e qirave: Ky faktor ka pasur një ndikim prej 0,84 pikë përqindje në inflacion, duke përbërë gati një të tretën e rritjes së çmimeve. Kjo situatë është pasojë e dhënies së shumë ambienteve akomoduese me qira afatshkurtër për turistët, duke sjellë rritje të qirave afatgjata për banorët vendas. Turistët kanë ndikuar gjithashtu në shtrenjtimin e bareve dhe restoranteve, me një efekt prej 0,17 pikë përqindje.
- Çmimet e ushqimeve: Kjo kategori ka pasur një ndikim prej 0,76 pikë përqindje. Rritja reflekton shtrenjtimin e lëndëve të para, përfshirë energjinë, si dhe mungesën e prodhimit vendas.
- Transporti: Ky sektor ka pasur një ndikim prej 0,51 pikë përqindje, duke qenë i ndikuar drejtpërdrejt nga lufta dhe si rrjedhojë nga çmimi i karburanteve.
Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në maj 2026 u ndikua kryesisht nga grupi “Transporti” me 7,8%, i ndjekur nga “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,9%. Grupet “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” shënuan rritje prej 4,2% secili. Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” pati një rritje prej 3,4%, ndërsa “Restorante dhe shërbime akomodimi” dhe “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” shënuan rritje prej 3,0% secili. Grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” pati një rritje prej 2,8%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” 2,2%, “Shërbimi arsimor” 2,1%, “Shëndeti” 1,6%, dhe “Informacioni dhe komunikimi” 0,5%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,5%.
Niveli i inflacionit ka arritur objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi në takimin e fundit me FMN-në se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar për të ofruar kushte monetare të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv, duke pasur parasysh informacionin e ri dhe duke adresuar pasiguritë mbi ecurinë e ekonomisë.
Edhe FMN vuri në dukje se inflacioni është ndikuar nga rritja e çmimeve të energjisë, ndërsa pritjet inflacioniste kërkojnë monitorim të vazhdueshëm. Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor garantimin e stabilitetit financiar duke përcaktuar normën bazë. Në periudhat kur inflacioni është në rënie, norma bazë ulet, ndërsa kur tendenca e çmimeve është në rritje, politika monetare bëhet më shtrënguese.
Aktualisht, norma bazë është 2,5%, krahasuar me 3,25% që ishte në vitin 2024, kur banka ndërhyri për të frenuar rritjen e çmimeve të shkaktuara nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Ndikimi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor
Sipas INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në maj u ndikua kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,84 pikë përqindje, i ndjekur nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,76 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Transporti” me +0,51 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,20 pikë përqindje, dhe çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” ndikuan me +0,17 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,13 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje, dhe çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje, çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje, dhe çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me -0,02 pikë përqindje.
Burimi: INSTAT
