“`html
Euro bie përsëri, më pranë se kurrë pragut të 95 lekëve
Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po vazhdon rënien e tij dhe të mërkurën arriti një minimum të ri historik, duke u afruar më shumë se kurrë më parë pragut të 95 lekëve.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë, me 95.07 lekë.
Kursi Euro-Lek ka shënuar një rënie prej rreth 1.8% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa në baza vjetore rënia ka arritur në 2.9%.
Me hyrjen në stinën e verës, presionet rënëse mbi kursin e këmbimit të Euros po intensifikohen. Kjo situatë pritej, për shkak të ndikimit më të rëndësishëm të prurjeve nga turizmi mbi ofertën e valutës në tregun vendas.
Blerjet e Bankës së Shqipërisë kanë luajtur një rol në mbajtjen nën kontroll dhe ngadalësimin e tendencës së zhvlerësimit të Euros, por pa arritur ta frenojnë plotësisht atë.
Në komunikimet publike lidhur me ndërhyrjet në kursin e këmbimit, Banka e Shqipërisë ka theksuar se nuk ka për qëllim mbajtjen e niveleve të caktuara të kursit, por shmangien e lëvizjeve shumë të forta të tij, veçanërisht në kahun rënës.
Në periudhën 2024-2025, Banka e Shqipërisë bleu më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm valutor. Besohet se blerjet kanë qenë të konsiderueshme edhe në pjesën e parë të vitit 2026, megjithëse vlerat e operacioneve nuk janë bërë publike.
Perspektivat afatshkurtra të kursit duken në favor të një forcimi të mëtejshëm të Lekut, për shkak të sezonit turistik.
Nga ana tjetër, shtrenjtimi i karburanteve dhe rritja e inflacionit të importuar në muajt e fundit nuk po sjellin ndonjë efekt të dukshëm në rritjen e kërkesës për valutë dhe në frenimin e rënies së kursit të Euros.
Megjithatë, rritja e inflacionit mund të ndikojë në qasjen e Bankës së Shqipërisë sa i përket ndërhyrjeve në tregun valutor. Në kushtet kur inflacioni ka arritur objektivin prej 3% dhe duket se ka tendenca për rritje të mëtejshme, Banka Qendrore nuk ka më një justifikim për të frenuar forcimin e Lekut me argumentin e kontrollit të inflacionit.
Një tërheqje e Bankës së Shqipërisë do ta linte kursin nën efektin e plotë të forcave të tregut, të cilat aktualisht duket se ushtrojnë presion në favor të një forcimi të mëtejshëm të monedhës vendase kundrejt Euros.
Forcimi i Lekut, në teori, do të lehtësonte presionet inflacioniste, të paktën për mallrat dhe shërbimet e importuara. Megjithatë, nga ana tjetër, Leku gjithnjë e më i fortë po dëmton përfitueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorëve eksportues të ekonomisë.
“`
