Axios: Sanksionet, arma që mund të dëmtojë më shumë regjimin iranian
Sanksionet ekonomike mund t’i shkaktojnë regjimit iranian më shumë dëme sesa sulmet ushtarake, vlerësojnë disa zyrtarë amerikanë, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës që flasin për një krizë të thellë financiare në Iran.
Sipas një raportimi të Axios, zyrtarët amerikanë besojnë se ekonomia iraniane po përballet me vështirësi serioze, ndërsa mungesa e fondeve po kufizon aftësinë e qeverisë për të financuar strukturat shtetërore dhe ushtarake.
“Iranianët duan të ndalojnë bombardimet dhe duan para. Por, në këtë renditje, ata duan para së pari,” tha një zyrtar amerikan, duke nënvizuar se presioni ekonomik po bëhet një faktor vendimtar në llogaritjet e Teheranit.
Sipas vlerësimeve të shërbimeve amerikane të inteligjencës, autoritetet iraniane po përballen me mungesë fondesh për të paguar trupat dhe për të subvencionuar furnizimin me karburant. Po ashtu, ekziston shqetësimi se pasiguria ekonomike mund të shkaktojë një valë tërheqjesh të depozitave nga bankat, duke rritur më tej presionin mbi sistemin financiar të vendit.
Zyrtarët amerikanë argumentojnë se kombinimi i sanksioneve dhe izolimit ekonomik mund të ushtrojë një ndikim më të madh ndaj regjimit iranian sesa operacionet ushtarake, ndërsa Uashingtoni vijon përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje me Teheranin.
