Vrasje e rëndë në Indi: Gruaja vritet pas kthimit në shtëpi

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Indi, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij pas dyshimeve për tradhti. Ai më pas ka regjistruar momentet e fundit të saj dhe ia ka dërguar prindërve të viktimës.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Galagali, në distriktin Bagalkot të Karnataka-s. Viktima, 23-vjeçarja Bhagyasri Jigalur, u gjet e pajetë në banesën e saj. Sipas policisë, bashkëshorti i saj, Pravin Jigalur, dyshohet se e ka sulmuar fillimisht me një trung druri dhe më pas e ka varur.

Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari ka regjistruar një video të gruas së tij teksa ajo luftonte për jetën dhe më pas e ka shpërndarë atë. Ai dyshohet gjithashtu se ka kryer një videotelefonatë me prindërit e saj, duke i bërë ata dëshmitarë të minutave të fundit të vajzës së tyre.

Sipas hetimeve paraprake, çifti kishte pasur konflikte të shpeshta. Bhagyasri ishte larguar nga banesa e përbashkët rreth dy muaj më parë dhe kishte shkuar të jetonte me prindërit e saj. Pravin dyshohet se e kishte bindur të kthehej, duke i premtuar se marrëdhënia e tyre do të përmirësohej. Policia tha se gruaja dyshohet se u vra në të njëjtën natë që u rikthye në shtëpi.

Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët arrestuan bashkëshortin e saj dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të krimit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat ligjore ndaj të dyshuarit.

Scroll to Top