Faturat e papaguara mund të ekzekutohen përmes gjykatës pa paralajmërim dhe pa kosto shtesë.
Bizneset dhe individët që ushtrojnë veprimtari ekonomike do të kenë në dispozicion një mjet më të shpejtë për arkëtimin e faturave të papaguara, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Ligji i ri është publikuar dhe do të hyjë në fuqi 15 ditë pas datës së botimit.
Ndryshimet synojnë përshpejtimin e arkëtimit të detyrimeve në transaksionet tregtare dhe harmonizimin e legjislacionit shqiptar me Direktivën 2011/7 të Bashkimit Europian, e cila ka për qëllim luftën kundër pagesave të vonuara.
Një nga risitë më thelbësore është se kreditori nuk ka më detyrimin të dërgojë njoftime ose kujtesa për pagesë. Në rast se kreditori ka përmbushur detyrimet e tij kontraktore dhe ligjore, ndërsa debitori nuk ka bërë pagesën brenda afatit, kamatëvonesa lind automatikisht.
Ligji gjithashtu përcakton se, nëse debitori nuk kundërshton detyrimin, kreditori mund t’i drejtohet gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit. Ky urdhër do të përfshijë jo vetëm shumën e papaguar, por edhe kamatëvonesat dhe shpenzimet e lindura për rikuperimin e kredisë.
Gjykata ka një afat prej 90 ditësh për të lëshuar urdhrin e ekzekutimit, duke filluar nga data e paraqitjes së kërkesës. Ky afat vlen me kushtin që, deri në atë moment, debitori të mos ketë kundërshtuar detyrimin ose elementët e procedurës.
Ndryshimet vendosin gjithashtu kufij më të qartë për afatet e pagesës:
- Në marrëdhëniet mes subjekteve tregtare, afati kontraktor nuk mund të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur palët bien shprehimisht dakord ndryshe dhe kjo nuk e dëmton kreditorin.
- Kur debitori është një autoritet publik, afati standard i pagesës është 30 ditë, i cili mund të zgjatet deri në 60 ditë vetëm në raste të përcaktuara në kontratë.
Ligji parashikon gjithashtu se procedurat e marrjes në dorëzim ose të kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve nuk mund të përdoren për të zvarritur pagesat. Këto procedura nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht në kontratë.
Dispozitat e reja do të zbatohen vetëm për kontratat dhe transaksionet tregtare të lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për detyrimet ekzistuese të autoriteteve publike ndaj bizneseve, do të vazhdojë të zbatohet legjislacioni në fuqi në momentin kur ato kanë lindur. Ndërkohë, institucionet publike do të kenë një periudhë gjashtëmujore për t’u përshtatur me rregullat e reja të pagesave.
Kjo ndërhyrje ligjore ishte një nga kërkesat e Aleancës së Profesionistëve të Lirë (APL).
