PD kundër reformës territoriale, udhëzim për qendresë qytetare

PD kundër Reformës Territoriale, zbardhet udhëzimi drejtuar degëve: Takim urgjent

TIRANË – Partia Demokratike ka shpërndarë një udhëzim zyrtar për të gjitha strukturat e saj në vend, duke kërkuar angazhim të menjëhershëm në organizimin e një qëndrese qytetare kundër projektit të qeverisë për rishikimin e hartës administrative-territoriale. Ky projekt synon uljen e numrit të bashkive.

Në dokumentin e dërguar degëve lokale, theksohet nevoja për koordinim të gjerë me këshilltarët bashkiakë, pavarësisht përkatësive politike, me qëllim krijimin e një fronti të përbashkët kundër reduktimit të numrit të bashkive.

Sipas qëndrimit të PD-së, reforma e propozuar nga mazhoranca cenon funksionimin e vetëqeverisjes vendore dhe rrezikon përfaqësimin e komuniteteve lokale. Për këtë arsye, kërkohet mobilizim i qytetarëve në zonat që preken drejtpërdrejt nga shkrirja e njësive vendore.

Dokumenti udhëzon gjithashtu zhvillimin e takimeve urgjente nga degët e partisë me këshilltarët demokratë, me qëllim hartimin e një strategjie konkrete kundërshtimi në nivel lokal dhe përfshirjen aktive të komunitetit në këtë proces.

Scroll to Top