Rama përballet me kundërshtime për Reformën Territoriale; kryetari i PS-së së Maliqit shprehet kundër, kreu i qeverisë në anën e qytetarëve.
Pavarsisht vendosmërisë së kryeministrit Edi Rama për të vijuar me draftin socialist për Reformën Territoriale, kundërshtitë në bashkitë e prekura nga shkrirja kanë vazhduar edhe sot. Kryetari i Partisë Socialiste në Maliq, Ornid Demollari, është shprehur publikisht kundër projektit për shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Korçën, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do t’i largonte shërbimet nga qytetarët.
Qëndrimi i Demollarit u bë publik pas dëgjesave të zhvilluara në njësinë administrative Libonik, ku banorët kundërshtuan bashkimin e Maliqit me Korçën. Ata akuzuan qeverinë se po merr vendime për të ardhmen e territorit pa u konsultuar me komunitetet që preken drejtpërdrejt nga reforma.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Maliqit ka nisur konsultimet me banorët e njësive administrative, ndërsa dëgjesat pritet të vijojnë edhe në ditët në vazhdim. Këshilli pritet të miratojë qëndrimin zyrtar të bashkisë në një mbledhje të posaçme më 20 gusht. Ky dokument do t’i përcillet më pas Kuvendit, ndërsa diskutimi parlamentar për reformën territoriale pritet të rikthehet në tetor.
Në mbledhjen e djeshme që u zhvillua në Kuç të Vlorës, kryeministri Edi Rama përjashtoi nga mbledhja dy kryebashkiakë që kishin dalë kundër projektit, ndërsa nuk i kurseu kritikat për të tjerët.
