“`html
Këmbimet valutore arritën rekordin prej 4.5 miliardë euro në tremujorin e dytë, me një rritje prej 30%
Vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm shënoi një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vlera e këmbimeve valutore arriti në rreth 4.5 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ky vëllim i këmbimeve valutore madje tejkaloi edhe shifrat e regjistruara në tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Tradicionalisht, për shkak të karakteristikave sezonale, tremujori i tretë i vitit shënon volumin më të lartë të këmbimeve valutore. Megjithatë, këtë vit, shifrat e tremujorit të dytë e tejkaluan atë të tremujorit të tretë të vitit të kaluar, duke vendosur një rekord historik.
Pavarësisht rritjes së vëllimit të këmbimeve, e cila nënkupton një ofertë më të lartë për valutë në treg, Leku ka vijuar trendin e tij të forcimit edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kursi mesatar i Lekut kundrejt Euros zbriti në 94.8 lekë në qershor, nga 96 lekë në mars, duke treguar një forcim mesatar mujor prej 0.4%. Në terma vjetorë, forcimi i Lekut u përshpejtua në 3.2% në tremujorin e dytë, nga 2.6% në tremujorin paraardhës.
Tendenca e forcimit u theksua më tej gjatë muajit korrik, ku në tre javët e para kursi mesatar Euro/Lek zbriti në 93.8, me një forcim vjetor prej 4.0%. E njëjta tendencë po vazhdon edhe gjatë muajit gusht, ku kursi i këmbimit Euro/Lek ka zbritur në mënyrë të qëndrueshme nën nivelin 93 lekë, duke arritur vlera minimale historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të martën Euro u këmbye me 92.76 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe, rrjedhimisht, forcimi i vazhdueshëm i Lekut, lidhen ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave. Sipas analizës së kombinuar të të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë (të dhënat e Bilancit të Pagesave për tremujorin e dytë nuk janë ende të disponueshme), rikonfirmohet lidhja e ngushtë mes vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.
Megjithatë, në treg dhe në opinionin publik, ekziston perceptimi se kursi i Euros ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet valutore nga burime joformale ose ilegale, të cilat investohen kryesisht në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.
Forcimi i Lekut mbështetet pjesërisht edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, e cila ka shënuar suficite të mëdha fiskale në pjesën më të madhe të vitit. Kjo praktikë ul ofertën e monedhës vendase në treg. Për gjashtë-mujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord prej 52.8 miliardë lekësh, duke u rritur me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë, por këto ndërhyrje po arrijnë vetëm të kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu konfirmojnë se Banka Qendrore po vijon blerjet, por pa mundur ta frenojë plotësisht rënien e Euros. Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu rreth 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjet kanë pasur vlerën e 140 milionë eurove, duke shënuar një rekord për këtë periudhë të vitit.
“`
