Kuvendi kërkoi publikimin e masave administrative, Bordi i AMF-së sërish nuk reagoi
Kuvendi i Shqipërisë, në rekomandimet e tij drejtuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2026, kërkoi zyrtarisht përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies publike në vendimet e Bordit të këtij institucioni.
Në rezolutën e miratuar nga Kuvendi në muajin korrik, rekomandohet që AMF të publikojë aktet rregullatore të miratuara dhe ndryshimet përkatëse. Gjithashtu, kërkohet publikimi i vendimeve për marrjen e masave administrative dhe korrigjuese, duke evidentuar votimin individual të anëtarëve të Bordit dhe rastet e përjashtimit nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit.
Sipas rekomandimeve, publikimi duhet të bëhet në përputhje me parimin e proporcionalitetit, duke ruajtur vetëm informacionin konfidencial sipas nenit 24 të ligjit nr. 9572/2006, nëpërmjet anonimizimit ose redaktimit të pjesshëm. Ky proces nuk duhet të cenojë publikimin e vetë aktit, bazës ligjore, arsyetimit dhe elementeve thelbësore të vendimmarrjes.
Megjithatë, një rekomandim i tillë nuk është zbatuar as pas mbledhjes së fundit të muajit korrik. Në listën e vendimeve të publikuara gjatë muajit gusht, dy vendime, që lidhen me marrjen e masave ndaj një subjekti të mbikëqyrur dhe refuzimin për rishikimin e një vendimi të mëparshëm për marrje masash, nuk janë publikuar.
Mospublikimi i një pjese të konsiderueshme të vendimeve të Bordit të AMF-së ka qenë disa herë objekt debatesh dhe kritikash nga deputetët gjatë diskutimeve në Kuvend. Praktika e AMF-së ka qenë pothuajse në të gjitha rastet që vendimet korrigjuese ose masat administrative ndaj subjekteve të mbikëqyrura të mos publikohen, megjithëse në disa raste veçanta është bërë përjashtim.
Në vitin 2021, Bordi i AMF-së bëri publike disa masa korrigjuese ndaj shoqërive administruese të fondeve të pensionit. Ndërkohë, një praktikë e tillë nuk është ndjekur ndaj shoqërive të sigurimit, duke shkaktuar pakënaqësi te shoqëritë që ishin subjekt i këtyre masave.
Publikimi ose jo i vendimeve varet nga gjykimi ose diskrecioni i vetë Bordit, i cili shfrytëzohet jo vetëm për të mos bërë publike masat ndaj subjekteve të mbikëqyrura, por edhe në rastin e vendimmarrjeve të tjera. Rezoluta e Kuvendit synon të eliminojë subjektivizmin ose keqpërdorimin eventual të së drejtës për të mos bërë publike vendimet.
Gjithashtu, në rezolutën e këtij viti, Kuvendi kërkon nga AMF të konsolidojë mekanizmat e transparencës institucionale, duke forcuar funksionin e koordinatorit për të drejtën e informimit dhe duke garantuar publikimin e informacionit sipas standardeve të të dhënave të hapura dhe ripërdorimit të informacionit të sektorit publik.
AMF mori më pak masa ndaj subjekteve të mbikëqyrura në vitin 2025
Masat administrative dhe korrektuese të AMF-së ndaj subjekteve të mbikëqyrura pësuan një rënie vitin e kaluar. Sipas raportimit të këtij institucioni në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë vitit 2025, Bordi i Autoritetit ka marrë 13 vendime si masa administrative e korrigjuese ndaj subjekteve të mbikëqyrura. Këto vendime janë bazuar kryesisht në gjetjet e analizave financiare, inspektimeve në vend dhe rasteve të pezullimit të licencave për ushtrimin e veprimtarisë.
Numri i masave ndaj subjekteve të mbikëqyrura ka pësuar ulje për të dytin vit radhazi. Për vitin 2024, Bordi i AMF-së kishte marrë 15 masa, ndërsa për vitin 2023 raportonte 28 masa administrative dhe korrigjuese.
Në tregun e sigurimeve gjatë vitit 2025 u morën nëntë vendime: tetë vendime për marrje masash dhe urdhër për eliminimin e shkeljeve ndaj shoqërive të sigurimit dhe një vendim për heqje licence ndaj një vlerësuesi dëmesh. Nga këto, gjashtë vendime përfshinë sanksione me gjobë në vlerën totale 7.4 milionë lekë, të cilat janë likuiduar.
Vlera e gjobave të vendosura ndaj shoqërive të sigurimeve është rritur me 37% krahasuar me një vit më parë. Sipas ligjit “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit”, AMF mund të vendosë ndaj shoqërive të sigurimit gjoba që mund të arrijnë deri në tre milionë lekë, në varësi të shkeljes së konstatuar. Subjekte të gjobave mund të jenë edhe administratorët e shoqërive të sigurimit, për shuma nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, si edhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës, në intervalin mes 300 mijë lekë dhe 500 mijë lekë.
