Berati drejt transportit publik elektrik: Tender 276MLN lekë

Berati drejt transportit publik elektrik: Hapet tenderi 276 milionë lekë për autobusë dhe stacione inteligjente

Në qytetin e Beratit do të investohen mbi 276 milionë lekë për krijimin e një sistemi të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent. Tenderi është shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ky projekt synon jo vetëm blerjen e autobusëve elektrikë, por edhe ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për karikimin e tyre, vendosjen e stacioneve inteligjente dhe implementimin e sistemeve dixhitale për menaxhimin e transportit publik.

Sipas specifikimeve teknike, flota do të përbëhet nga autobusë dhe minibusë 100% elektrikë.

  • Autobusët urbanë, me një gjatësi rreth 12 metra, duhet të kenë një kapacitet prej të paktën 80 pasagjerësh dhe një autonomi minimale prej 250 km me një karikim të plotë.
  • Minibusët elektrikë, të përshtatshëm edhe për rrugët urbane më të ngushta, duhet të ofrojnë një autonomi prej të paktën 150 km.

Investimi nuk kufizohet vetëm te elektrifikimi i flotës.

Dokumentet e tenderit parashikojnë krijimin e një rrjeti me 65 stacione inteligjente, ku pasagjerët do të mund të informohen në kohë reale për mbërritjen e autobusëve. Ky informacion do të jetë i disponueshëm në ekranet brenda stacioneve, në ekranet e vendosura brenda autobusëve, nëpërmjet një aplikacioni celular dhe një portali online.

Gjithashtu, do të ndërtohet infrastruktura e nevojshme për furnizimin me energji të flotës. Projekti përfshin 5 pika karikimi me fuqi 50 kW, të destinuara për karikimin gjatë natës, si dhe 2 karikues të shpejtë me fuqi 150 kW, të cilët do të vendosen në dy pika strategjike të qytetit: Terminali dhe zona pranë Spitalit.

Sistemi do të menaxhojë automatikisht oraret dhe mënyrën e karikimit të autobusëve.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i projektit është dixhitalizimi i shërbimit. Autobusët do të pajisen me një sistem elektronik për blerjen e biletave, duke ofruar mundësinë e përdorimit të kartave pa kontakt (contactless), biletave elektronike me kod QR dhe aplikacioneve për telefona inteligjentë.

Scroll to Top