Spanjë/Organizata shqiptare rrëmben shofer rumun pas humbjes së 500 kg kokainë me vlerë 30 milionë euro
Policia Kombëtare Spanjolle ka liruar në Caldes de Montbui një burrë, i cili mbahej peng dhe dhunohej për 10 ditë kundër vullnetit të tij. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për humbjen e një ngarkese prej më shumë se 500 kilogramësh kokainë, me një vlerë tregu rreth 30 milionë euro.
Hetimet e kryera nga Sektori i Pengmarrjeve dhe Gjobvënieve në Policinë Gjyqësore Spanjolle kanë zbuluar se ngjarja ka nisur gjatë transportit të lëndës narkotike, e cila duhej të dërgohej nga Spanja drejt Portugalisë në rrugë tokësore.
Lideri i organizatës kriminale, me origjinë shqiptare, i kishte besuar transportin e ngarkesës një shoferi ndërmjetës me kombësi rumune. Ky i fundit kishte angazhuar një person të tretë, gjithashtu rumun, për të kryer udhëtimin. Gjatë rrugës, transportuesi i fundit simuloi një grabitje të lëndës narkotike nga persona të tretë – një praktikë e njohur në botën e trafikut si “vuelco”. Nga frika e hakmarrjes, ai u largua dhe u fsheh.
Në fund të muajit korrik, kreu shqiptar i rrjetit rrëmbeu me dhunë shoferin ndërmjetës. Ky i fundit u mbajt peng për 10 ditë me radhë, ku u rrah dhe u kërcënua sistematikisht për të zbuluar vendndodhjen e transportuesit dhe të kokainës.
I dëmtuari, i cili paraqiste shenja të rënda dhune në trup, u shpëtua nga agjentët e policisë në momentin kur pengmarrësi po e zhvendoste me automjet drejt një zone të izoluar malore. Gjatë ndërhyrjes për arrestim, autori tentoi të përplaste makinat e policisë dhe provoi të nxirrte një pistoletë që e mbante të fshehur në çantën e belit, por u neutralizua dhe u vu në pranga nga forcat e rendit.
