Titulli: Takimi i Ramës me ministrat dhe drejtuesit e qarqeve, qytetarët paralajmërojnë protestë para selisë së PS: T’u tregojmë që nuk na përfaqësojnë
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë nesër një takim me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, pas mbledhjeve të mëparshme të mbajtura në Pogradec. Ky takim i radhës do të mbahet në selinë e Partisë Socialiste, në qendër të Tiranës.
Ndërsa në Pogradec takimi u karakterizua nga prania e qytetarëve të moshuar, të cilët pritën me orë të tëra për të takuar Kryeministrin, në kryeqytet pritja pritet të jetë e ndryshme. Kjo u paralajmërua nga një protestë e zhvilluar sot para Kryeministrisë.
Një nga aktivistet e tubimit u bëri thirrje pjesëmarrësve që ditën e nesërme të protestojnë para selisë së Partisë Socialiste. “Nesër në orën 17:30 PS mblidhet te selia për mbledhje. Të shkojmë atje me vezë dhe të protestojmë për t’u treguar se nuk na përfaqësojnë,” – deklaroi ajo.
Mbetet për t’u parë nëse kjo protestë do të organizohet. Vlen të kujtohet se në raste të tjera, kur protestat janë zhvendosur nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ato janë zhvilluar para Kuvendit, ku ka pasur edhe përplasje me policinë.
