AKEP mbron konsumatorët: ndalohen rritjet e çmimeve %

AKEP Ndalon Klauzolat e Indeksimit; Rritja e Çmimit të Shërbimeve Celulare Duhet të Parashikohet në Vlerë Monetare

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka vendosur të ndalojë aplikimin e klauzolave të ndryshimit të tarifave, të shprehura në përqindje, në kontratat e operatorëve të komunikimeve elektronike.

Projekt-rregullorja e re për “Mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike” parasheh që informacioni kontraktor lidhur me çmimin të përfshijë në mënyrë të dukshme dhe të qartë edhe tarifën e pajtimit mujor. Ky informacion duhet të përfshijë çdo ndryshim të parashikuar të tarifës së pajtimit mujor që konsumatori do të paguajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës me afat të caktuar, të shprehur në Lekë me TVSH. Ndryshimet e deklaruara në përqindje nuk do të lejohen.

Një risi tjetër e projekt-rregullores është detyrimi i sipërmarrësit që, para lidhjes së kontratës, t’i vërë në dispozicion pajtimtarit të kategorisë “Konsumator” përmbledhjen e kontratës, pa pagesë. Informacioni për çmimin në këtë përmbledhje duhet të përfshijë edhe tarifën e pajtimit mujor, duke përfshirë çdo “ndryshim të parashikuar të tarifës së pajtimit mujor” që konsumatori do të paguajë gjatë kohëzgjatjes së kontratës me afat të caktuar ose periudhës së angazhimit kontraktual, të shprehur në Lekë me TVSH.

Qëllimi i përmbledhjes së kontratës është rritja e transparencës, duke e bërë konsumatorin të qartë për termat kryesorë të kontratës që do të nënshkruajë, duke pasur parasysh se kontratat e plota mund të jenë të gjata dhe të detajuara.

Ndalimi i parashikimeve për rritjen e tarifave në përqindje nuk do t’u lejojë më operatorëve të komunikimeve elektronike të përfshijnë në kontratat e tyre klauzolën e indeksimit me inflacionin.

Dy operatorët më të mëdhenj të komunikimeve elektronike në vend, Vodafone Albania dhe One Albania, parashikojnë në termat dhe kushtet e përgjithshme të tyre një klauzolë të veçantë që i rezervon të drejtën për të indeksuar çmimet e shërbimeve me normën e inflacionit të vitit të mëparshëm. Deri më tani, vetëm njëri nga operatorët ka aplikuar rritje çmimesh sipas kësaj klauzole, fillimisht për pajtimtarët e kategorisë “Biznes” dhe më pas për të gjithë bazën e klientëve të shërbimeve celulare.

AKEP ndjek praktikën e rregullatorit britanik.

Përcaktimi i klauzolave që u lejojnë operatorëve të indeksojnë automatikisht tarifat me inflacionin mbetet çështje diskutimi edhe në Bashkimin Europian. Megjithatë, Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC) e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin e klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas Indeksit të Çmimeve të Konsumatorit (IÇK) apo IÇK plus një marzh, si një “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë”.

BEREC ka propozuar për Komisionin Europian që këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së çmimeve, duke krijuar rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen.

Ndërkohë, Autoriteti britanik i komunikimeve elektronike (OFCOM) në vitin 2024 vendosi ndryshime në kuadrin rregullator, të cilat e ndalojnë aplikimin e rritjes së tarifave të shprehura në përqindje (IÇK). Çdo rritje e parashikuar çmimesh gjatë kohëzgjatjes së kontratës duhet të shprehet në terma monetare.

AKEP ka vendosur të ndjekë të njëjtën linjë me OFCOM, duke kërkuar që çdo rritje e parashikuar e çmimeve gjatë afatit të kontratës të shprehet detyrimisht në vlerë monetare.

Scroll to Top