Sulm ndaj anijes me naftë në Hormuz, dy marinarë të zhdukur
Dy marinarë rezultojnë të zhdukur dhe 23 të tjerë janë shpëtuar pas një sulmi ndaj një tankeri nafte në ngushticën e Hormuzit, njoftuan autoritetet e Omanit. Qendra e Sigurisë Detare e Omanit bëri të ditur se anija “El Gaia”, me flamur të Panamasë, po tërhiqej drejt një porti të Omanit pasi shpërtheu një zjarr në dhomën e motorëve.
Sipas autoriteteve, anija u godit rreth 2.4 kilometra në veri të gadishullit të Musandamit. Ngjarja ka sjellë përplasje të reja mes versioneve të palëve për atë që ndodhi në një prej korridoreve detare më të rëndësishme të botës.
Të hënën, Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se cisterna kishte goditur një minë detare dhe ishte përfshirë nga zjarri teksa kalonte në një itinerar që Irani e cilësoi si të kufizuar dhe të pasigurt. Ushtria amerikane e hodhi poshtë këtë version, duke deklaruar se raportimi iranian ishte i pavërtetë. Sipas ushtrisë amerikane, “El Gaia” ishte goditur nga një raketë iraniane muajin e kaluar dhe më pas nga një dron gjatë fundjavës.
Edhe Qendra Britanike për Operacionet Tregtare Detare tha se kishte marrë një raport për një zjarr në bordin e një anijeje, e cila ishte goditur nga një predhë e paidentifikuar në orët e para të së dielës, teksa lundronte në Ngushticën e Hormuzit.
Incidenti i fundit vjen pak kohë pas një tjetër sulmi ndaj një supertankeri nafte në të njëjtën zonë, ku humbën jetën dy marinarë filipinas. Garda Revolucionare iraniane kishte pretenduar se anija “Sidr”, në pronësi saudite, ishte përfshirë nga zjarri pasi kishte goditur një minë detare. Arabia Saudite, nga ana tjetër, deklaroi se anija ishte sulmuar nga Irani, ndërsa kompanitë e sigurisë detare raportuan se ajo ishte goditur nga predha në veri të Musandamit.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, të paktën 22 marinarë kanë humbur jetën në 79 incidente të konfirmuara në ngushticën e Hormuzit dhe në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme që nga fillimi i luftës mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit në fund të shkurtit.
