“`html
Trump pretendon se ka ndalur konfliktin Kosovë-Serbi dhe rendit 8 luftëra të tjera të cilave i ka dhënë fund: “Më dërguan letra falënderimi”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, iu kthye sërish çështjes së Kosovës dhe Serbisë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ai e përfshiu këtë konflikt në listën e tetë krizave ndërkombëtare që, sipas tij, janë zgjidhur ose parandaluar gjatë mandatit të tij.
Para udhëheqësve botërorë, Trump cilësoi vendosjen e paqes në këto rajone si një “nder të madh” për administratën e tij, duke theksuar se përpjekjet e Uashingtonit kanë marrë vlerësime të drejtpërdrejta nga liderët përkatës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e renditi përplasjen mes Serbisë dhe Kosovës si një nga rastet ku diplomacia e tij ka arritur të parandalojë përshkallëzimin dhe të vendosë stabilitet, duke e vendosur Ballkanin Perëndimor krah krizave të tjera madhore në botë.
Sipas Trump, ndërhyrja e tij në këto çështje ka lënë gjurmë te liderët e përfshirë: “Pothuajse secili prej këtyre vendeve më shkroi një letër falënderimi,” deklaroi Trump para OKB-së.
Ai shtoi gjithashtu se kryeministri i Pakistanit i kishte konfirmuar personalisht se ndërhyrja e tij diplomatike në atë rajon kishte shpëtuar më shumë se 30 milionë jetë njerëzish.
Konfliktet që Trump pretendon se i ka zgjidhur gjatë mandatit të tij përfshijnë:
- Serbi – Kosovë
- Izrael – Hamas
- Izrael – Iran
- Egjipt – Etiopi
- Indi – Pakistan
- Ruandë – Kongo
- Armeni – Azerbajxhan
- Kamboxhia – Tajlandë
“`
