Programi i strehimit, Ibrahimaj: Qiratë deri 500 € subvencionohen 50% nga shteti
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një takim me Shoqatën e Ndërtuesve dhe përfaqësues të tregut imobiliar, bëri të ditur se ka apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro në rrethinat e Tiranës. Për këto raste, përfituesit do të marrin kredi me 0% interes.
Për apartamentet me vlerë mbi 60 mijë euro, blerja do të mbulohet 100% përmes kredisë bankare, ndërsa shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit mbi 3%. Kufiri maksimal i vlerës së apartamentit është ende në diskutim dhe orientimi është rreth 200 mijë euro.
Pjesë e politikës së re do të jetë edhe subvencionimi i qirasë për profesionistët dhe familjet e reja. Sipas ministres, për qiratë deri në 500 euro, shteti do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere.
