Parisi mbështet zgjidhjen me dy shtete, Macron kritikon Izraelin në OKB / Netanyahu kundërreagon ashpër: Absurditet!
Komentet e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kanë nxitur një reagim të fortë nga qeveria izraelite, veçanërisht lidhur me qëndrimet e tij për situatën në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Gjatë fjalimit të tij, Macron shprehu kritika ndaj veprimeve izraelite në Bregun Perëndimor, duke u fokusuar në dhunën e ushtruar nga kolonët. Ai gjithashtu theksoi se Hamasi nuk ka një prani aktive në këtë territor, të cilin e administron Autoriteti Palestinez.
Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, reagoi me tone të forta ndaj deklaratave të presidentit francez, duke i cilësuar si “absurditet të çuditshëm” dhe duke e akuzuar Macronin për “injorancë”.
“Absurditetit i çuditshëm i deklaratës së Emmanuel Macron është i paimagjinueshëm,” thuhej në deklaratën e lëshuar nga zyra e Netanyahut, e cila shtoi se “injoranca nuk është justifikim”.
Ky reagim izraelit erdhi pak orë para fjalimit të planifikuar të Benjamin Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku kryeministri pritet të prezantojë pozicionin e qeverisë së tij për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Në fjalimin e tij në OKB, Macron paralajmëroi për rrezikun e mbizotërimit të “ligjit të xhunglës” në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe bëri thirrje për forcimin e rolit të Kombeve të Bashkuara në ruajtjen e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Duke iu referuar konfliktit izraelito-palestinez, presidenti francez ripërsëriti mbështetjen e tij për zgjidhjen me dy shtete, duke theksuar se krijimi i një shteti palestinez pranë Izraelit është thelbësor për një zgjidhje afatgjatë dhe për sigurinë e Izraelit.
Macron kritikoi gjithashtu situatën humanitare dhe politike në Gaza dhe Bregun Perëndimor, duke e cilësuar si një situatë që kërkon ndërhyrje ndërkombëtare.
