SHBA: Drejtuesja shqiptare në bankë përballet me akuza për abuzim seksual; institucioni reagon: Hetimet tregojnë se janë të pabazuara
Banka amerikane JPMorgan Chase është përfshirë në një konflikt ligjor pas akuzave të ngritura nga një ish-punonjës. Ky i fundit pretendon se është ngacmuar seksualisht nga një drejtuese e lartë e institucionit, Lorna Hajdini.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë The New York Post, ish-punonjësi Chirayu Rana, 35 vjeç, pretendon se Hajdini ka tentuar ta detyrojë atë për marrëdhënie seksuale dhe e ka kërcënuar se do t’i dëmtonte karrierën nëse nuk pranonte. Ai gjithashtu e akuzon atë për përdorim të shprehjeve fyese racore ndaj tij dhe bashkëshortes.
Nga ana tjetër, JPMorgan Chase i ka mohuar kategorikisht këto pretendime. Banka ka deklaruar se një hetim i brendshëm nuk ka gjetur asnjë provë që mbështet akuzat. Sipas bankës, shumë punonjës kanë bashkëpunuar me hetimin, ndërsa paditësi nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka paraqitur materiale mbështetëse.
Mediat raportojnë gjithashtu se Rana dhe Hajdini kanë qenë kolegë në ekipin e financave të leverazhuara dhe nuk kanë pasur marrëdhënie hierarkike mes tyre. Disa burime pranë drejtueses e kanë cilësuar akuzat si të pabazuara dhe dëmtuese për reputacionin e saj.
Deri më tani, Lorna Hajdini nuk ka bërë ndonjë reagim publik lidhur me këtë çështje.
