Berisha urdhëron Partinë Demokratike: Shkarkoni ChatGPT, Grok dhe Gemini, reagoni në rrjetet sociale!
Duke u frymëzuar nga fitorja e Peter Magyar në Hungari, e cila dominoi plotësisht rrjetet sociale gjatë dy viteve të fundit, Sali Berisha u ka bërë thirrje krerëve të seksioneve dhe deputetëve të PD-së që të jenë vazhdimisht aktivë në rrjetet sociale, duke publikuar statuse dhe video.
Berisha theksoi se aktivitetet në rrjetet sociale do të monitorohen për të gjithë, pasi anëtarët e PD-së kanë vënë re mungesën e reagimeve nga shumë drejtues.
“Duhet të tregoni guximin tuaj në rrjetet sociale”, u shpreh Berisha, duke shtuar se të gjithë duhet të mësojnë të përdorin aplikacionet e inteligjencës artificiale.
“Duhet të shkarkoni të gjitha aplikacionet e IA. T’i keni në celular, Chat GPT, Grok dhe Gemini. Ato kanë një saktësi që rritet gjithnjë e më shumë. Ndonjëherë kanë iluzione, por ndihma e tyre është e jashtëzakonshme, për të përgënjeshtruar propagandën e shpifur që po bën Edi Rama”, tha Berisha.
Sipas mediave ndërkombëtare, denoncimet e Peter Magyar në Hungari ishin efektive jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Fituesi i zgjedhjeve atje denoncoi jo vetëm korrupsionin e ministrave të Viktor Orban, por edhe oligarkët që i rrethonin, përfshirë ata që zotëronin mediat.
