Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit: Sfida Ekonomike Iran-Trump

Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit: Një sfidë durimi ekonomik

Vendimi i presidentit Donald Trump për të ndaluar të gjitha dërgesat iraniane që hyjnë ose dalin nga Ngushtica e Hormuzit, duke filluar nga mëngjesi i së hënës, përfaqëson një test të ri në konfliktin me Iranin: cila palë mund të përballojë më shumë dhimbje ekonomike, udhëheqja aktuale në Teheran apo vetë Trump?

Kjo fazë e re e konfliktit pritet të zhvillohet ndryshe nga sa është parë deri tani. Në vend që të drejtojë sulme ushtarake kundër objektivave të caktuar, Trump synon të mbyllë burimin jetik të vendit, naftën, e cila përbën më shumë se 50% të eksporteve iraniane dhe pothuajse të gjitha të ardhurat e qeverisë.

Shpresa e parë e presidentit, sipas zyrtarëve të administratës, është të detyrojë Iranin të pranojë kushtet e paraqitura nga zëvendëspresidenti JD Vance në bisedimet e paqes në Islamabad, të cilat Irani i refuzoi, ashtu si edhe negociatat në Gjenevë para fillimit të luftës më 28 shkurt. Këto kushte përfshijnë dorëzimin e të gjithë rezervës së uraniumit, çmontimin e infrastrukturës bërthamore dhe heqjen dorë nga kontrolli mbi trafikun në ngushticë.

Nëse Irani nuk dorëzohet, Trump duket se ende shpreson në atë që deklaroi në ditën e parë të luftës: që popullsia iraniane të ngrihet dhe të rrëzojë regjimin ushtarako-fetar që qeveris vendin që nga viti 1979. Megjithatë, ky skenar paraqitet po aq i vështirë sa edhe më parë.

Nga ana e tij, Irani duket se ka zgjedhur të luftojë në tregjet globale, ku ka gjetur një formë të re fuqie. Duke ditur se ka humbur betejën ushtarake në javët e para, por ka performuar mbi pritshmëritë në luftën e informacionit dhe në goditjet me raketa e dronë ndaj fqinjëve, Irani po llogarit se Trump ka një tolerancë të kufizuar ndaj kostos politike. Nëse asnjë pikë nafte iraniane nuk kalon nga ngushtica, çmimet mund të rriten ndjeshëm, me disa kompani që parashikojnë rritje deri në 175 dollarë për fuçi. Irani është i vetëdijshëm për efektet politike që mund të ketë inflacioni në SHBA, më pak se shtatë muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.

“Së shpejti do të ndjeni nostalgji për benzinën 4–5 dollarë,” paralajmëroi negociatori kryesor iranian dhe kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf. Megjithatë, deri të hënën në mëngjes, tregjet nuk dukeshin të panikuara: çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 6%, në pak mbi 101 dollarë për fuçi, por mbeti nën nivelet para armëpushimit.

Trump, nga ana tjetër, ka zbutur pritshmëritë për uljen e çmimeve, duke thënë se ato “do të mbeten afërsisht të njëjta” dhe mund të jenë “pak më të larta” gjatë zgjedhjeve, një shqetësim i madh për republikanët.

Kjo është një situatë e paprecedent. Ashtu si “karantina” e vendosur nga John F. Kennedy ndaj Kubës në vitin 1962, është e pamundur të parashikohet rezultati. Atëherë, SHBA prisnin të shihnin nëse Bashkimi Sovjetik do të përballej apo do të tërhiqej. Nikita Hrushovi zgjodhi të tërhiqej. Tani mbetet për t’u parë nëse lideri i ri iranian, Mojtaba Khamenei, do të bëjë të njëjtën gjë. Pa një marinë të fuqishme, Irani ka pak shanse në një përballje direkte.

Ky është një ndryshim tjetër strategjie për Trump. Disa javë më parë, ai lejoi Iranin të shiste naftën që ishte tashmë në det për të stabilizuar tregun. Por kjo nuk pati efekt, dhe Trump u duk sikur po zhvillonte një luftë gjysmake, duke bombarduar Iranin ndërkohë që i lejonte të fitonte para. “Irani po pasurohet ndërsa të tjerët varfërohen”, tha Richard Haass, ish-zyrtar i lartë amerikan. “Bllokada rrit presionin ekonomik mbi Iranin. Nëse duan të shesin naftë, duhet të hapin ngushticën për të gjithë.”

Suksesi i strategjisë do të varet edhe nga reagimi i klientëve kryesorë të Iranit, si Kina, India, Pakistani dhe Turqia. Nuk është e qartë nëse ata do të ushtrojnë presion mbi Teheranin. Ekziston gjithashtu rreziku që Irani të përgjigjet duke sulmuar objektet energjetike në vendet arabe fqinje, duke sinjalizuar se nëse nuk mund të eksportojë naftë, atëherë askush nuk duhet të eksportojë.

Ende ka paqartësi mbi mënyrën e zbatimit të bllokadës. Trump fillimisht foli për një bllokadë totale, por më pas u sqarua se ajo do të aplikohet vetëm për anijet që lidhen me Iranin. Mallrat nga vendet e tjera të Gjirit do të lejohen të kalojnë, por me rrezik të lartë.

Ngushtica është bllokuar edhe më parë, por historia nuk ofron një precedent të qartë për situatën aktuale. Nëse bllokada është afatshkurtër dhe funksionon, ajo mund të konsiderohet një lëvizje e zgjuar nga Trump. Por nëse zgjat, ai rrezikon të duket si një lider që nuk parashikoi pasojat e një konflikti që mendonte se do të zgjaste vetëm disa ditë, ndërsa tani po hyn në javën e shtatë dhe pasojat për ekonominë globale sapo kanë filluar.

Analizë nga David E. Sanger, Gazetar i The New York Times.

Scroll to Top