Të dënuarit me burgim të përjetshëm i gjendet kanabis në çorape gjatë transferimit në Burrel
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi se, bazuar në informacionet paraprake të marra në rrugë operative nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, Adriatik Kupi, për arsye sigurie është kryer transferimi i të dënuarit me burgim të përjetshëm, Miklovan Parubi, nga burgu i Peqinit në atë të Burrelit.
“Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në momentin e pranimit në IEVP Burrel, në materialet personale të të dënuarit është konstatuar, e fshehur në një çorape, një qese e vogël e dyshuar si lëndë narkotike. Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e institucionit, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve si dhe Komisariati i Policisë Burrel, i cili ka marrë në dorëzim materialin për kryerjen e ekspertizës përkatëse. Ngjarja po ndiqet sipas procedurave ligjore në fuqi. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në një luftë pa kompromis ndaj çdo paligjshmërie brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit”, thuhet në njoftim.
Miklovan Parubi u dënua me burgim të përjetshëm për një masakër të kryer në tetor të vitit 2016 në Shkodër. Pas një loje pokeri, ai hapi zjarr në një lokal, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur katër të tjerë.
