Euro bie ndaj Lekut, arrin minimum historik: 92.5 LEK

Kursi i Euros e Mbyll Javën në Rënie dhe Arrrihet një Minimum i Ri Pranë 92.5 Lekëve

Kursi i këmbimit Euro-Lek ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 92.53 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kësaj jave thellon tendencën e zhvlerësimit të Euros gjatë këtij viti. Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia ka arritur në 4.8%. Këto të dhëna tregojnë se rënia e kursit të Euros është përshpejtuar sidomos gjatë muajve të deritanishëm të këtij viti.

Rënia nisi që në tremujorin e parë, me një tendencë të pazakontë në raport me ecurinë historike të kursit në këtë periudhë, dhe u thellua me ritme më të shpejta gjatë sezonit veror, çka ishte pak a shumë e pritshme dhe në linjë me trajektoren sezonale.

Agjentët e këmbimit vlerësojnë se oferta e valutës në treg është e lartë dhe mund të hipotizohet se kjo i detyrohet kryesisht prurjeve nga turistët. Në mungesë të statistikave për ecurinë aktuale, të dhënat e pjesës së parë të vitit në përgjithësi tregojnë një ofertë të lartë për valutë dhe rritje të këmbimeve valutore në tregun e brendshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruara në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit, deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet i lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave. Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Scroll to Top