“`html
Albin Kurti reagon për krizën politike pas dështimit të bisedimeve për postin e presidentit: Opozita s’i ka votat as për aplikim, s’ia ka dhënë populli, o vëlla!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar situatën politike pas ngezjes së bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të vendit. Ai ka theksuar se problemi qëndron te refuzimi i ofertës “gjeneroze” nga ana e opozitës, e cila, sipas tij, nuk disponon numrat e nevojshëm për të marrë një post të tillë, pasi nuk është përkrahur nga populli.
Në një deklaratë për mediat, Kurti ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme nuk janë të nevojshme dhe nuk do të sjellin ndryshime thelbësore.
“Çfarë duhet të bëj me rezultatin zgjedhor që më ka dhënë 51.1%? Ata nuk i kanë votat as për të mbledhur nënshkrimet për një kandidat. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë as për të aplikuar. Për shembull, a keni aplikuar ndonjëherë për punë? Paramendojeni të mos keni dokumentet… dhe thua do të punësohem, por ti as nuk i ke dokumentet për të aplikuar. Ta jap atë post, thua, por populli nuk ia ka dhënë, o vëlla, si t’ia jap unë kur populli nuk ia ka dhënë?”, ka thënë Kurti.
Duke i konsideruar si gjeneroze ofertat e tij ndaj opozitës, ai ka pyetur se si mund t’i refuzojnë ato me numrat që disponojnë. Sipas tij, ofrimi i një posti si ai i kryeparlamentarit për PDK-në dhe LDK-në është “koncesion i madh”, ndërsa ka krahasuar votat e liderëve të këtyre dy partive me ato të deputetëve të VV-së.
“Pra, me 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet, dhe atë natë e kemi parë rezultatin, kurrë s’ka qenë më i qartë. Këta 120 deputetë duhet t’i funksionalizojnë institucionet në plotni; kemi Kuvend, kemi qeveri, duhet të kemi edhe president,” ka shtuar ai.
“Pranimi i rezultativ nënkupton që PDK-ja të kuptojë se ka 22 deputetë, që janë një e treta e mazhorancës, dhe duhet ta mirëkuptoni edhe pozitën time të vështirë, sepse LVV ka arritur 51.1% të votës popullore, dhe ky është një rezultat i paparë, prandaj në vitin 2026 duhet të sillemi në përputhje me këtë rezultat.”
Të hënën, takimi i pestë mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit, rezultoi pa sukses. Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri, përndryshe vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se i ka refuzuar dy oferta nga Albin Kurti: e para, përfshirja në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja të ketë 4 ministri; dhe e dyta, pas refuzimit të së parës, që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, ndërsa nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, ka shpallur të mbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka refuzuar të takohet me Kurtin, duke theksuar se edhe atij i është ofruar posti i kryeparlamentarit.
Pas dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit më 5 mars, Vjosa Osmani, atëherë presidente, përmes një dekreti, pati shpërndarë Kuvendin. Ky vendim ishte mirëpritur nga partitë opozitare. Mirëpo, këtë dekret, me aktgjykimin e 25 marsit, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar, duke konstatuar se deputetët kanë kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri.
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 28 prill. Kalimi i këtij afati, pa zgjidhje, nënkupton zgjedhje brenda 45 ditësh. Në këto rrethana, zgjedhjet mund të mbahen më së largu më 7 qershor.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para ose me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mbahet.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar dy emra, Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxhën, ndërsa nuk ka pasur emra të tjerë të përmendur nga partitë opozitare.
Nëse Kosova shkon në zgjedhje, do të jenë të tretat parlamentare brenda më pak se 15 muajsh. Dy të tjerat u mbajtën në shkurt dhe dhjetor 2025.
“`
