Netanyahu për Iranin: Jemi të gatshëm për çdo skenar
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, theksoi se Izraeli është gati “për çdo skenar”, në fillim të takimit të këshillit të sigurisë të vendit. Ky takim u zhvillua pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vlerësoi se kishte shanse të mjaftueshme për të arritur një marrëveshje paqeje me Iranin, ndërkohë që kërcënoi me bombardime të reja.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me miqtë tanë në Shtetet e Bashkuara. Unë flas me Presidentin Trump pothuajse çdo ditë dhe do të flas përsëri me të më vonë,” tha Netanyahu.
Ai theksoi se ekziston “koordinim i plotë” i veprimeve me Uashingtonin dhe se qëllimet kryesore mbeten heqja e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit dhe çmontimi i aftësive të Teheranit për të rifilluar procesin e pasurimit.
Agjencia zyrtare libaneze e lajmeve ANI njoftoi se Izraeli goditi periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i Hezbollahut pro-iranian, mbrëmjen e sotme. Pak më parë, agjencia raportoi një shpërthim të fuqishëm në zonën periferike jugore të kryeqytetit.
Ky është sulmi i parë ajror që kur armëpushimi hyri në fuqi më 17 prill, raportoi ANI, duke cituar burime të sigurisë. “Forcat ajrore izraelite shënjestruan lagjen Ghobeiri,” tha ANI.
Kryeministri izraelit Netanyahu tha se ushtria kishte shënjestruar një komandant të lartë të Hezbollahut. “Ushtria vetëm pak çaste më parë goditi komandantin e Forcës Radwan në Bejrut”, njësi elitare e Hezbollahut, “me qëllim neutralizimin e tij”, tha Netanyahu në një deklaratë të përbashkët me ministrin e mbrojtjes.
